Vizita e Vuçiç në Tiranë, aktivistët e Vetëvendosjes përplasen me policinë

Aktivistë të degës së Vetëvendosjes në Tiranë janë përplasur me policinë para hotelit ku ndodhet presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Presidenti serb ka mbërritur sot rreth orës 17:00 në Tiranë dhe ndodhet në një prej hoteleve kryesore të qytetit, për të marrë pjesë në takimin e Minishengenit Ballkani.

Një grup i përfaqësuesve të Vetëvendosjes kanë kundërshtuar vizitën e tij, duke argumentuar se një njeri që nuk dënon krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë nuk mund të vij në Shqipëri.

Raportohet se ka pasur përplasje me aktivistëve dhe forcave të shumta të policisë që sigurojnë delegacionin e presidentit serb. Sipas policisë, aktivistëve u është dhënë leje për të protestuar vetëm në një perimetër të caktuar dhe jo në zonat ku dëshirojnë ata.

Drejtues të Vetëvendosjes në Tiranë thanë për mediat se Vuçiç nuk është mirëpritur në Shqipëri.

“Unë po mbroj dinjitetin e shqiptarëve. A mori leje Vuçiç kur erdhi në Shqipëri? A jemi shqiptarë në Shqipëri apo e kemi me qira këtë tokë”, tha një protestues.

“Janë ca kufoma që po ecin për inerci mbi tokë. Këta maskarenj kanë 30 vjet që na shkatërrojnë këtë komb. E ndjejmë se policët janë në siklet, se edhe ata gjak shqiptari kanë. Këtë bën kjo politikë që na vë në përplasje. Patriotët nuk e shkatërrojnë Shqipërinë, por e bëjnë Shqipërinë”, tha një tjetër protestues duke kundërshtuar lojën e kryeministrit Rama me Presidentin serb Vuçiç.

Nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama sot po zhvillohet takimi i tretë rajonal, i njohur për minishengenin ballkanik. Në samit marrin pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kosova nuk ka marrë pjesë në këtë takim duke e bojkotuar. Synimi i samitit është bashkimi doganor dhe lehtësira të tjera ekonomike mes vendeve të rajonit. Ideja e minishengenit është kritikuar si një projekt që i shërben vetëm Serbisë, pasi përjashton Kosovën.

VV protestë kundër pranisë së Vuçiç në Tiranë, përplasje me policinë

SHKARKO APP