Vjosa Osmani: Ardhja e refugjatëve afganë është çështje ditësh

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në një intervistë për kanalin televiziv britanik, Skynews se autoritetet po presin informacione lidhur me datën e saktë të arritjes së afganëve në Kosovë.

“Është vetëm çështje ditësh. Do të varet sigurisht në atë sesi do të organizohet transportimi i tyre, sepse procesi organizohet nga Shtetet e Bashkuara. Ne do ta dimë [kohën e ardhjes së tyre ndoshta deri në fund të kësaj jave”, ka deklaruar ajo.

Numri i saktë i refugjatëve afganë që do të pranojë Kosova ende nuk dihet, por presidentja Osmani ka deklaruar se po punojnë në zgjerimin e kapaciteteve për të pranuar sa më shumë prej tyre.

“Ne veçse jemi gati t’i pranojmë refugjatët e parë. Tani ne po i rrisim kapacitetet që të mund të pranojmë më shumë [refugjatë]. Prandaj nuk mund të përmend numrin final [të refugjatëve që do të vijnë] derisa të përfundojë studimi i secilit lokacion që mund t’i pranojnë ata në Kosovë”, ka deklaruar Osmani.

Sipas saj, pesë qytetarë kosovarë deri më tani janë evakuuar nga Afganistani dhe Ministria e Jashtme e Kosovës ka vënë në dispozicion linja telefonike për qytetarë tjerë që mund të kenë nevojë për evakuim nga atje.

 

SHKARKO APP