Vjosa Osmani çon vendin në zgjedhje, Kurti: Nuk është përmbushur kriteri prej 60 ditësh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se është informuar përmes mediave për dekretin lidhur me shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës. Në një konferencë për media, Kurti shprehu keqardhje për mungesën e pjesëmarrjes së deputetëve të opozitës në seancën e Kuvendit të mbajtur për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Ai bëri të ditur se për këtë çështje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke kërkuar interpretim lidhur me procedurat kushtetuese. Sipas tij, nga momenti i fillimit të procedurave për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta parasheh një afat prej 60 ditësh që duhet të kalojnë para se të mund të shpërndahet Kuvendi.
“Nuk është përmbushur kriteri prej 60 ditësh për t’u shpërndarë Kuvendi”, deklaroi Kurti, duke theksuar se procesi duhet të zhvillohet në përputhje me afatet dhe rregullat kushtetuese. Kurti ka deklaruar se po vëren një zell të shtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por sipas tij, ato nuk do ta zgjidhin situatën politike në vend.
Sipas tij edhe nëse mbahen zgjedhje të reja, nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha në rezultatin politik. ”Nuk shoh që do të ketë diferenca të mëdha. Mund të ketë ndonjë lëvizje të vogël”, u shpreh Kurti.
KOHA JONË SONDAZH

