Vjosa Osmani kundër rishikimit të kufijve: Territori i Kosovës nuk vihet në diskutim
Kandidatja për kryeministre e Kosovës, Vjosa Osmani ka prezantuar platformën qeverisëse për të shpëtuar ekonominë e Kosovës dhe për të çliruar institucionet nga kapja politike. Gjatë takimit të zhvilluar në Ferizaj, Osmani tha se mbështetja popullore për LDK-në është tregues i ndryshimit që kërkon Kosova.
Gjatë fjalës së saj, Osmani tha se Programi i LDK-së mbështetet në ekspertizë, ndërsa kundërshtarët politike po tentojnë ta blejnë besimin e qytetarëve. “Ata po synojnë ta marrin besimin e qytetarëve të Kosovës me para. Me para të vjedhura po duan t’i blejnë votat e qytetarëve të Kosovës. Jam e bindur se nuk do t’ia dalin ta blejnë vullnetin e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe përspektivën e fëmijëve tanë”,– tha kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani.
Duke folur për planet për copëtimin e Kosovës, Vjosa Osmani tha se LDK-ja nuk e diskuton me askënd, për asnjë çmim, shtetësinë, sovranitetin e integritetin territorial dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës. “Ne mund ta bëjmë këtë sepse ne nuk jemi të shantazhueshëm. Ne nuk japin tokë për asnjë interes personal. As për lëkurën e askujt. Prandaj, më 6 tetor, përcaktohuni për LDK-në”,- tha kandidatja e LDK-së për kryeministre.
Duke shpalosur Programin zhvillimor, Osmani tha se ka hartuar program konkret zhvillimor për Kosovën, me prioritete të qarta. “Zhvillimin ekonomik nëpërmjet mbështetjes së sektorit privat që gjeneron punë e punësim. Përkrahjen e biznesit privat, siç janë ndërmarrësit e fshatit Greme që po eksportojnë edhe në vendet e Bashkimit Evropian dhe inkurajimi i diasporës për të investuar në Kosovë”, tha Vjosa Osmani.
Ajo shtoi se Lidhja Demokratike e Kosovës është bashkuar si kurrë më parë për t’u dhënë qytetarëve të Ferizajt dhe krejt Kosovës, qeverisjen që ata meritojnë, qeverisjen që u shërben me nder, i trajton me dinjitet dhe që bashkërisht me qytetarët, do ta ndërtojë të ardhmen e sigurt të atdheut tonë.