Vjosa Osmani refuzon të bëhet Kryeparlamentare, kërkon MPB dhe postin e Zëvendëskryeministres

Gjendja që po dukej se po shkonte e qetë drejt seancës së nesërme të Kuvendit të Kosovë ka precipituar pasdite.

Kandidatja për Kryeministre e LDK’së, Vjosa Osmani, është përplasur me krerët e partisë rreth mënyrës se si kanë vendosur t’i ndajnë karriket qeveritare. Vjosa Osmani e kishte kërkuar pozitën e Ministres së Punëve të Brendshme dhe atë të Zëvendëskryeministres. Mirëpo, kjo gjë nuk ka ndodhur për shkak se Isa Mustafa ka anuar në drejtim të Agim Veliut.

Ajo i ka paralajmëruar në orët e pasdites se nuk e pranon pozitën e Kryetares së Kuvendit.

Mbetet e paqartë se si do të reagojë nesër Vjosa Osmani apo që partia të mund të reflektojë dhe të ndryshojë vendimin e fundit për emërimet në pozitat qeveritare.

Ndërkohë, LDK në mbledhjen e sotme të Kryesisë ka vendosur që Avullah Hoti do të jetë Zëvendëskryeministër.

Anton Quni është propozuar për Ministër të Mbrojtjes. Besian Mustafa për Ministër të Bujqësisë. Hykmete Bajrami për Ministre të Arsimit. Vlora Dumoshi është propozuar për Ministre të Kulturës, derisa Lumir Abdixhiku për Ministër të Infrastrukturës.

Ndryshe, edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka propozuar ditë më parë emrat për ministra dhe zëvendëskryeministrin e dytë.

Ai ka njoftuar se ka zgjedhur për zëvendëskryeministër të dytë, Haki Abazin.

Ndërkaq, si ministre të drejtësisë, Kurti kishte njoftuar se e kishin zgjedhur Albulena Haxhiun.

Ministër i Punëve të Jashtme ishte propozuar Blerim Reka, i cili pritet të zëvendësohet nga Glauk Konjufca, ndërsa Ministër i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi.

Për Ministër të Ekonomisë Kurti ka propozuar Rozeta Hajdarin.

Kurse Arben Vitia është propozuar si Ministër i Shëndetësisë dhe Sportit./Express/

SHKARKO APP