Vjosa Osmani thirrje qytetarëve të votojnë: Demokracia forcohet përmes pjesëmarrjes
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar pjesëmarrje masive nga qytetarët për të votuar në zgjedhjet e sotme lokale.
E para e vendit pasi votoi në kryeqytet, tha se shpreson që procesi zgjedhor i sotëm të jetë i rregullt, pasi që kështu forcohet edhe demokracia e vendit.
Sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë e vendit tonë. Sa më masive pjesëmarrja në procese zgjedhore, sa më i rregullt dhe lirë procesi zgjedhor aq më e forte do të jetë demokracia jonë. I uroj suksese atyre që po marrin pjesë në këto zgjedhje por mbi të gjitha shpresoj që ky do të jetë një proces me rezultate në të mirë të qytetarëve tanë. Një proces ku vota mbrohet dhe do të jetë e lirë dhe si rezultat Kosova do të dalë edhe më e fortë nga zgjedhjet. Shpresoj që qytetarët ta shfrytëzojnë këtë të drejtë”, tha Osmani.
Krahas kësaj, presidentja Osmani foli edhe për ndërhyrjen e Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë, pasi u pyet për mbledhjen e qytetarëve nga Lista Serbe në Mitrovicë të Veriut që të votojnë në mënyrë të organizuar.
“Serbia vazhdimisht ka ndërhyrë në proceset zgjedhore në Kosovë. Ne natyrshëm me institucionet tona të sigurisë do të bëjmë çmos që të gjithë qytetarëve, veçmas atyre në veri t’iu garantohet e drejta e lirisë në votë. Megjithatë shpresoj që pas raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën të kemi më shumë institucione ndërkombëtare që do të reagojnë dhe marrin masa për këto shkelje flagrante nga ana e Serbisë, që përfshijnë edhe ndërhyrje të drejtpërdrejt në procesin zgjedhor në Kosovë. Duke shfrytëzuar metoda të ndryshme, përfshirë edhe ato kriminale. Institucionet tona do të bëjnë çmos që të ruhet integriteti i procesit zgjedhor”, tha ajo.
Qytetarët e Republikës së Kosovës ushtrojnë sot të drejtën kushtetuese të votës. Këto janë zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat mbahen në 38 komuna të Kosovës.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të KQZ-së është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, nga jashtë Kosovës janë regjistruar për votim 43 mijë e 993 qytetarë me të drejtë vote.
Votimi përmes postës ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar dje, më 11 tetor.
Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5.624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5.419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.
Vendvotimet u hapen në orën 7:00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00. Kjo periudhë llogaritet heshtje zgjedhore.
/Kosovapress/
KOHA JONË SONDAZH

