Vjosa Osmani u zgjodh presidente, DW: Merr fund drama politike në Kosovë

Pas një drame politike, më në fund Lëvizja Vetëvendosja në pushtet me ndihmën e Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, arriti t’i sigurojë votat e mjaftueshme për ta zgjedhur Vjosa Osmanin si Presidente. Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi për deputete me listën Vetëvendosja, për zgjedhjen e saj Presidente në kuvendin e Kosovës mori 71 vota, nga 82 deputetë sa morën pjesë në votim.

Presidente në raundin e tretë

Për zgjedhjen e presidentes u zhvilluan tri raunde votimi. Në dy raundet e para të votimit zonja Osmani, nuk e mori numrin e mjafueshëm prej 2/3 të votave por, në raundin e tretë në bazë Kushtetutës, nevojiteshin të paktën 61 vota, duke bërë kështu të sigurohej numri i mjaftueshëm i votave për ta bërë Vjosa Osmanin Presidente të Kosovës.

Seanca për zgjedhjen e Presidentit filloi të shtunën vonë për t’u ndërprerë rreth mesnatës për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm që kërkohej prej 2/3 e votave të deputetëve nga 120 sa i ka kuvendi i Kosovës. Seanca vazhdoi një ditë pas, vetëm atëherë pasi Vetëvendosja siguroi numrin e mjaftueshëm të votave për Presidenten. Ishin dy deputetë të pakicave jo serbe, ata që e siguruan kuorumin mbi 80 deputetë në sallë për t’ia mundësuar zonjës Osmani që në raundin e tretë të zgjidhet Presidente e Kosovës.

PDK e AAK me kritika të ashpra

Tri partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe lista Srpska, nuk morën pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit. Udhëheqësi i PDK-së, Enver Hoxhaj para se partia e tij ta lëshojë seancën, tha se “kryeministri i Kosovës Albin Kurti po e emëron Vjosa Osmanin në pozitën e Presidentes për të pasur kontroll absolut mbi institucione të rëndësishme” duke shtuar se edhe Vjosa Osmani nuk është figurë unifikuese.

“Dje e kishim një dramë, e cila ishte dramë e turpit, ishte kërcënim, shantazh për zgjedhje nëse Kuvendi i Kosovës nuk do ta votonte Presidenten. Ishte përpjekje për ta ngulfatur demokracinë në Kosovë. Sot, këtë seancë edhe pse zgjedhja e Presidentit duhet të ishte ditë feste, është kjo seancë e poshtërimit, sepse Vjosa Osmani nuk po zgjidhet presidente, por z.Kurti po e emëron zonjën Osmani presidente për të pasur një kontroll absolut mbi shërbimet si polici, ushtri atë inteligjent e mbi ambasada”, tha Enver Hoxhaj. Edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se partia e tij është “kundër koncentrimit të pushtetit te një person apo parti politike, sepse kjo i bën dëm demokracisë në dobi të vendosjes së autoritarizmit.

Ashpërsim i situatës për shkak të ligjit zgjedhor

Dy netë më parë qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, tentoi që ta miratojë një ligj për zgjedhjet e përgjithshme, pa konsultim me partitë politike opozitare, por nuk arriti t’i sigurojë votat e mjaftueshme. Partitë opozitare e quajtën “shantazh të Kurtit ndaj opozitës”, përpjekjen për miratim ligji pa konsultim me partitë e tjera. Kjo përpjekje e Kurtit përplasi fort pozitën dhe opozitën duke rrezikuar kështu mos-zgjedhjen e presidentit që do të mund të përfundonte edhe zgjedhje të reja.

Lidhja Demokratike e Kosovës kishte premtuar se do të merr pjesë në zgjedhjen e Presidentes, por, tentimi i Kurtit për ligjin për zgjedhjet, pa njoftim paraprak, bëri që LDK të tërhiqet nga premtimi i saj, duke rrezikuar kuorumin për zonjën Osmani dhe që vendi do të shkonte automatikisht në zgjedhje. Albin Kurti u detyrua që ta tërheqë prapa ligjin për zgjedhjet, në mënyrë që LDK të qëndrojë në seancën për zgjedhjen e Presidentit.

Që prej datës 5 nëntor të vitit të shkuar, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit i cili akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë u mbajtën me 14 shkurt, ndërsa me 22 mars u konstitua Kuvendi dhe në të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin, kryetar i Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë, ndonëse vetë Kurti nuk kishte garuar në zgjedhje sepse kishte probleme me ligjin. Por në listë të Vetëvendosjes ishte Vjosa Osmani, që në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi për deputete, pas ndarjes nga partia e saj Lidhja Demokratike e Kosovës. Edhe gjatë zgjedhjeve, Vjosa Osmani deklaronte se ajo është kandidate për Presidente e Kosovës. Vjosa Osmani, me votat e deputetëve të kuvendit tanimë u zgjodh Presidente e Kosovës me mandat pesë vjecar. Vjosa Osmani, është 39 vjecare nënë e dy fëmijëve. Vjosa Osmani, është presidentja e dytë grua e zgjedhur në Kosovë, pas Atifete Jahjagës. /DW/

SHKARKO APP