Vlerësimin e Kosovës ndaj Shqipërisë, e kupton nga diplomacia e saj

Nga Ben Andoni/Ka mjaftuar një “ftesë” për të kandiduar për kryetar të PDK-së të Drenasit, që ambasadori kosovar në Tiranë Lladrovci të ikte sakaq nga posti diplomatik dhe tashmë nga oda në odë të flasë sesi partia e tij do të sjellë ndryshimin. Para tij, Sylejman Selimi, komandanti i njohur i luftës, u largua me detyrim dhe u gjykua së bashku me  pesë individë të tjerë , për krime lufte ndaj popullsisë civile gjatë luftës së Kosovës…Me pak fjalë, në harkun e katër viteve, Ambasada e Kosovës është pa titullarin e saj, porse krejt e pashqetësuar. Tek e fundit çfarë ndryshon!

Duke u kthyer pas, më 17 Shkurt 2012, një shpurë e madhe njerëzish ndiqnin dy kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, respektivisht Berisha dhe Thaçi, që inauguronin selinë e Ambasadës Kosovare në Tiranë. Teksa prisnin shiritin, të dy shpërndanin buzëqeshje autoriteti e mundoheshin të shprehnin besim për marrëdhënien mes të dy vendeve shqiptare. “Ambasadorët në të dy shtetet do të kenë rol të dyfishtë. Jemi një komb dhe dy shtete dhe si të tillë do të vazhdojmë rrugën drejt BE-së”, shprehej Thaçi, që rendiste njohjet e asaj kohe, që ishin plot 88, një shifër të bënte ta besoje se Kosova do ngjitej shumë shpejt në familjen e OKB-së. Qysh atëherë kanë rrjedhur shumë ujëra. Berisha është në opozitë dhe në fund të fundit të karrierës së tij, kurse Thaçi në zenit të karrierës së tij, teksa mban poltronin e presidencës kosovare. Ajo ditë e inaugurimit është e largët tashmë dhe po kaq i largët edhe premtimi, pasi njohjet e Kosovës kanë kaluar pak 100 vendet duke mbetur krejtësisht. Kurse ambasadorët me rol të dyfishtë të Kosovës dolën që vetëm për diplomaci nuk ishin. I çuditshëm ambasadori i fundit i Prishtinës në Tiranë, që debatonte me gazetarët dhe shkruante në Fcb për mosmarrëveshjet e luftës, duke harruar se ishte diplomat.

Në fakt, idealin për të pasur ambasadorë aktivë në Tiranë, Kosova e artikuloi vetëm atë ditë. Të dy ambasadorët që do të vinin nuk i përgjigjeshin dot atij posti. S’ka shumë fjalë për të folur për staturën e dobët diplomatike të tyre, porse zgjedhja e tyre ka treguar në një farë mënyre se çfarë posti është ai i ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, si edhe marrëdhëniet e të dy vendeve. Të mendosh, që Kosova është e mbushur me intelektualë të dorës së parë. Nëse mund të mendohet se ambasadorët në vendet tona s’kanë rol, ata gabohen. Ka një mori problematikash mes vendeve tona, që kërkojnë ambasada dhe personelet ndër to cilësore. Arsimi, tregtia, hallet e qytetarët janë disa prej problemeve. Deri më tani, Ministria e Jashtme e Kosovës nuk ka dhënë një shpjegim nëse do të ketë emërim të ri apo jo.  Zakonisht i ngarkuari me punë emërohet nga Ministri i Jashtëm i radhës me dekret të presidentit, pas propozimit të Qeverisë. Por, me sa duket, vendi i ambasadorit në Tiranë është krejt fiktiv.

Nga ana tjetër, megjithë ngritjen e dy vendeve tona, situata e shqiptarëve në rajon s’është aspak e lehtë. Kujtojmë gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi, atyre në Maqedoni, por më së shumti në Luginën e Preshevës. Diplomacia e bashkërenduar e vendeve tona mund ta lehtësonte barrën e tyre, që vazhdimisht kërkojnë më kot ndihmë.

Kosova, ndërkohë, është e njohur realisht nga gati 110 shtete të OKB-së. Vendi ka stabilitet delikat, institucionet themelore të shtetit s’janë shumë funksionale, kurse demokracia parlamentare është në nivelet më të ulëta. Por në argumentin tonë, ajo që dhëmb është fakti se: Kosova njësoj si Shqipëria nuk kanë strategji diplomatike, e në vend të kësaj aplikojnë politika ad hoc, që lidhen me konjukturat qeverisëse dhe realitetet përballë.

Të dyja vendet, prej vitesh, në vend që defiçencat t’i zgjidhin me emërime personalitetesh zbresin shpesh në emërime konjukturash. Skandalet s’ja vlejnë t’i përmendim.

Kosova në marrëdhëniet diplomatike duhej që bashkë me Shqipërinë të kishin një politikë më cilësore diplomatike dhe fillimisht të dinin të bashkëpunonin më cilësisht mes tyre, pasi roli më specifik shqiptar mbetet në Ballkan. Edhe pse qeveritë Rama dhe Mustafa tashmë kanë bërë dy-tre konsullata të përbashkëta, jemi ende larg një bashkëpunimi cilësor. Që do të thotë ndihmë dhe lehtësim i njëri-tjetrit. Reagimi i Ministrit Hoxhaj e tregoi më së miri këtë, kur u hap debati i radhës mes dy vendeve tona.

Dhe, problemi më i madh është se diplomacinë me njëra-tjetrën, shtetet tona, nuk e marrin seriozisht. Paçka se problemet nuk janë aspak të vogla. Kosova me kandidaturat që ka sjellë në Shqipëri ka treguar se jo vetëm ka mangësi në konceptimin e një politike diplomatike, por edhe se nuk e vlerëson shumë Shqipërinë. Dhe, kjo, përbën një nga problemet më shqetësuese ndër shumë të tjera që nuk dalin në sipërfaqe në mes të vendeve tona. Ja pse ikja e ambasadorit Lladrovci nuk bëri aq shumë përshtypje në Tiranë dhe në Prishtinë.  (Javanews)

SHKARKO APP