Vrasja e 5-fishtë në Gjilan, shoku i ngushtë i një prej viktimave tregon tjetër version: S’e ka bërë Valdetja, Blerimi me probleme mendore
Ndonëse deri më tani policia e Kosovës ka deklaruar se një efektive policie ka vrarë prindërit dhe më pas dy vëllezërit e saj dhe është vetëvrarë, një tjetër version del në dritë. Një qytetar nga Gjilani është bërë sot pjesë e emisionit ‘Me zemër të hapur’ në ‘News24’, ku ka dhënë një version krejt ndryshe nga ajo çka thuhet deri më tani në mediat kosovare.
Një mik i Fisnikut, një prej viktimave, teksa ka dashur që të ruaj anonimatin, pohoi se Valdete Bllaca kurrë nuk do të bënte diçka të tillë kundër familjes. Ai theksoi se i vetmi që ka pasur probleme të shëndetit mendor në familje ka qenë vëllai i madh, Blerimi, ndërsa e lidh këtë të fundit me ngjarjen. Ai theksoi se Blerimi mund të ketë qenë ai që ka vrarë si fillim prindërit dhe më pas Fisnikun, dhe pasi Valdetja ka parë me sy tragjedinë, është kundërpërgjigjur me armë dhe më pas ka vrarë dhe veten.
Ai tha mes të tjerash se Valdetja e kishte idhull vëllain e vogël dhe se kurrë nuk do ta kishte vrarë Fisnikun.
“Jam shok i ngushtë i Fisnikut. I kam njohur viktimat. Media dje ka bërë një tragjedi të dytë në Gjilan, që e kanë trajtuar si rast showbizi. Duhet të jemi të kujdesshëm në fatkeqësi, tragjedi të tilla. Më pasi kemi përgjegjësi për familjarët e tjerë që kanë përjetuar një vuajtje të madhe. Janë daje, xhaxhallarë, tezet, janë prekur nga këto lajme. Ky rast është një fatkeqësi që në një mënyrë ka dorë dhe shteti. Sikur Fisniku të ishte pjesë e ndonjë pune, institucion, ai do të ishte ai patrioti që e kam njohur gjithmonë. Ai shqiptari i vërtetë, që ka dashur shumë shtetin më shumë se veten. Spekulimet duhet të ndalen deri në versionin final të mjekësisë ligjore. Pasi mendoj se do të trajtohet rasti me sinqeritetin më të madh. Se besoj se ka ndodhur ngjarja siç është parashtruar nga mediat. Ne kemi pasur shoqëri të hershme. Mendoj se ka diçka tjetër që nuk thuhet. Ajo ka kaluar mbi 45 vite të jetës në përkushtim të familjes. Ka qenë pjesë e strukturave të larta të policisë, edhe pse jo e graduar, pjesë e linjës komanduese. 3 vitet e para ka jetuar në Prishtinë, pjesën tjetër ka udhëtuar drejt Gjilanit cdo ditë. Gjatë studimeve, ajo është përkujdesur për gjithçka. Bënte gjithçka për Fisin. Edhe po ta shihja me sytë e mi se Valdetja e ka vrarë Fisin, s’do e kisha besuar. Valdetja e ka pasur idhull. S’dua të spekuloj. Disa informata, dhe unë dhe shoqëria, i vetmi version që mund të më bind ky; vëllai i madh ka vrarë babain dhe nënën dhe më pas Fisin, pasi mund të ketë qenë duke fjetur. Pasi çdo natë qëndronte pa gjumë, e ka fjet në mëngjes…Mister është se ky e ka gjetur armën Blerimi. Valdetja, pasi ka parë masakrën që ka ndodhur në familje, ka vrarë Blerimin dhe më pas veten. Blerimi ka pasur probleme të shëndetit mendor dhe sipas informatave që kam, ai ka kohë që ka shkaktuar konflikte brenda familjes. Mungesa e përgjegjësisë institucionale për te trajtuar njerëzit me probleme psiqike ka shkaktuar krimin. Fisniku është shprehur se vëllai ka pasur probleme të shëndetit mendor. Unë nuk njoh dikë në qytet që të ketë pasur një probleme me Fisin apo babain e tij. Blerimi ka shkaktuar probleme gjatë gjithë kohës. Dhe Fisi, në vendin e punës që ka punuar më herët, është larguar me vullnet që të jetë pranë familjes. Në aspektin profesional dyshoj se janë dy armë në vendngjarje dhe se si ka ardhur arma tek blerimi, ky është misteri pasi s’jam pjesë e hetuesisë. Pasi do të ishte zbardhur ngjarja shumë shpejt. Unë dyshoj se trupat e prindërve janë gjetur në bodrum, apo katin përdhes, ndërsa Fisi në shkallë i vrarë. Nuk e di ku janë gjetur Blerimi dhe Valdetja. Ju lutem që ta trajtoni rastin me seriozitet dhe jo si rast showbizi. Duhet të hulumtohet se cilat shtëpi kanë njerëz me probleme të shëndetit mendor që të shmangen probleme të tilla.”, tha shoku i ngushtë i Fisnikut, shkruan ‘BalkanWeb’.