Vrasja e Marigona Osmanit, burgim i përjetshëm për autorin. Bashkëpunëtori i tij u dënua me 15 vite heqje lirie
Me burgim të përjetshëm është dënuar Dardan Krivaqa, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, në rigjykimin për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit. Dënimi është i njëjtë si në aktgjykimin e parë të Gjykatës Themelore në Ferizaj. Edhe në rigjykim Krivaqa është liruar nga akuza për dhunim, e Sejdiu nga akuza për ndihmë në dhunim.
Avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, kërkon burgim të përjetshëm edhe për Arbër Sejdiun. “Provat, videoxhirimet konkrete janë që të dy përfshihen në vrasjen në mënyrën më mizore të mundshme të të ndjerës Marigona Osmani”, u shpreh avokati.
Ndërsa avokatja e Arbër Sejdiut, Arbnore Shefkiu pati vërejtje në rigjykimin e të dënuarit. “Me atë që u komunikua po shpresoj që Gjykata të japi një arsyetim se mbi cilat prova e ka bazuar këtë rikualifikim”, shprehet avokatja.
Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 Gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, me të cilin bashkëjetonte në qytetin e Ferizajt. Dy persona, tani të dënuarit Krivaqa e Sejdiu, e kishin dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit dhe më pas ishin larguar në drejtim të panjohur.