Vuçiç: Dikush i ndihmoi shqiptarët për Trepçën
Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se shteti i tij gjendet në një situatë tejet të vështirë dhe se Serbia është duke kërkuar kompromise në rrugën e saj drejt BE-së.
Ai ka përsëritur se ende nuk e kupton pse Prishtina miratoi Ligjin për Trepçën.
“Unë nuk e kuptoj pse ata papritmas filluan me Trepçën. Cili është qëllimi? Nëse dikush dëshiron të destabilizojë. Unë nuk besoj se shqiptarët kanë mundur ta bëjnë këtë pa ndihmën e dikujt, dhe kjo nuk është aspak e këndshme”, ka deklaruar Vuçiç në një intervistë për Vecernje Novosti, transmeton lajmi.net
“I gjithë komuniteti ndërkombëtar është i heshtur”, është shprehur ai.
Kryeministri serb ka folur edhe për bisedimet në Bruksel, pas bojkotit të Listës Serbe ndaj institucioneve të Kosovës.
Ai ka thënë se janë duke shikuar nëse do të vazhdojnë bisedimet.
Vuçic ka deklaruar se marrëveshja për telekomin është e mirë, por duhet të ndryshojë numri i antenave të operatorit serb.