Vuçiç: Dikush në Prishtinë do poshtërimin e Serbisë

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka vlerësuar se kushtet e reja që i ka shtruar Prishtina për vazhdimin e dialogut në Bruksel, tregon se pala kosovare nuk dëshiron dialog, raportojnë të ketë thënë ai, transmeton Koha.net.

Vuçiç ka shtuar se për këto çështje do të bisedojë në mbledhjen e qeverisë dhe në takimin me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Ai u tha gazetarëve se ajo që i kërkohet Serbisë është e pabesueshme dhe tregon se dikush nga pala e Prishtinës nuk dëshiron dialog, por dëshiron poshtërimin e Serbisë.

“Ne jemi të vendosur për dialog, jemi të gatshëm për lloje të ndryshme kompromisesh, por kjo në këso rrethanash është e pamundur. Sa herë kemi heshtur rreth gjenocidit të pakuptimtë, jo vetëm pse kemi dashur të ecim përpara në rrugën europiane, por edhe pse jemi të bindur se marrëdhëniet e mira me shqiptarët janë parakusht i përparimit në rajon”, ka thënë Vuçiç.

Ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri, më herët ka thënë se Prishtina për vazhdim të dialogut në Bruksel kërkon si kusht që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, të paguaj dëmet e luftës dhe të përcaktojë kufijtë e ndërsjellë.

Kryeministri i Serbisë po ashtu ka shfaqur dyshimin se ato deklarata janë dhënë krye në vete dhe ka shtuar se ato nuk i kontribuojnë zgjidhjes së problemeve.

Duke u përgjigjur në pyetjen rreth përpjekjeve të mundshme për destabilizimin e situatës në rajon, Vuçiç tha se nuk ka frikë për asgjë, porse shpreson se këtë askush nuk e do.

“Gjithnjë kam shpresë se askush nuk dëshiron destabilizimin e situatës në Ballkan. Por, gjithë ajo që po ndodh nuk është në favor të shpresave të mia… E di ku e ka vendin Serbia dhe asnjëherë nuk do të lejoj që dikush të gjuan gurin në Serbi dhe unë të mos përgjigjem. Por nuk dua të shes trimëri me trupat e huaj ose me paratë e huaja. Puna jonë është të ruajmë paqen. Vazhdimisht jemi të gatshëm të bisedojmë, por jo me kushtet me të cilat ne do të poshtërohemi. Nuk ka dialog nëse shtroni kushte. Atëherë ai nuk është dialog. Druaj se disa nuk po e kuptojnë”, është shprehur Vuçiç.

SHKARKO APP