Vuçiç i përgjigjet Biden: Njohja e ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës nuk qëndron në asnjë akt ndërkombëtar

Joe Biden, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i ka dërguar letër presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në ditën kombëtare të Serbisë dhe mes tjerash ia ka përmendur njohjen e Kosovës.

Në letrën dërguar për ditën e 15 shkurtit, Biden shkruan se SHBA-të mbështesin Serbinë në qëllimet e saja drejt integrimit, por gjithashtu edhe normalizimin e raporteve me Kosovën.

“Ne mbesim të palëkundur në mbështetjen tonë për Serbinë dhe synimet e saj për integrime evropiane dhe ju kurajojmë që të vazhdoni të merrni hapat e vështirë për të arritur qëllimin – duke përfshirë këtu reformat e nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje për normalizim raportesh me Kosovën me synim kryesor njohjen reciproke”, thuhet në letrën e presidentit amerikan.

Mediat serbe raportojnë se Vuçiç është pyetur për letrën e Biden.

Agjencia serbe e lajmeve Tanjug citon Vuçiç-in të ketë thënë se në asnjë organizatë ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Bashkimin Evropian, njohja e Kosovës nuk është një nga kushtet.

“Nuk shkruan në asnjë akt diçka e tillë”, ka thënë politikani serb, duke aluduar se rruga e Serbisë drejt BE-së s’ka pse lidhet domosdoshmërisht me njohjen e Kosovës.

Vuçiç ka pohuar gjithashtu se tashmë e ka kuptuar se Amerika ka një politikë të re në raport me çështjen e Kosovës, ndryshe nga administrata e Donald Trump.

“Por përgjigja ime nuk do të ndryshojë. Do të jetë e njëjtë me atë të katër shtatorit në Shtëpinë e Bardhë”.

https://arkiva.kohajone.com/mediat-serbe-presidenti-i-shba-joe-biden-i-kerkon-vucic-te-njohe-kosoven/

 

SHKARKO APP