Vuçiç i shqetësuar: Mora informacione se Greqia do të njohë Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç është shprehur se në bazë të informacioneve zyrtara të marra, Greqia synon të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Kosovën.

Vuçiç tha se beson në miqësinë mes Beogradit me Athinën dhe se Greqia nuk do të shkojë një hap më tej për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një deklaratë për shtyp, pas takimi me patriarkun dhe peshkopët e Kishës Ortodokse Serbe, anëtarët e Këshillit të Ipeshkvijve, Vuçiç tha se kur Kosova vendosi taksë për mallrat serbe, Greqia i dha mundësinë për të hapur zyra tregtare dhe tani ky raport ka shkuar në një nivel më të lartë.

“Të premten ne u informuan zyrtarisht se Greqia do të përmirësonte marrëdhëniet e saj me Prishtinën në një nivel më të lartë”, tha ai.

Ai deklaroi se do t’i lutet Greqisë që kjo mos të ndodhë, pasi hapi tjetër do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës.

Presidenti serb tha se një fakt i tillë mund të jetë një problem që tregon se jo vetëm Evropa mund të bashkohet kundër Serbisë për çështjen e Kosovës.

Ai theksoi se ekziston një rrezik shtesë, pasi vendeve të tjera, mund t’u bëhet presion që të bëjnë të njëjtën gjë.

Vuçiç theksoi se Serbia po përballet me një periudhë shumë të vështirë politike.

Kujtojmë se edhe të mërkurën Presidenti i Serbisë foli për marrëdhëniet e Kosovës me Greqinë, duke shprehur shqetësimin e tij se ato po ndryshojnë dukshëm në rrafshin diplomatik.

SHKARKO APP