Vuçiç, kameleoni i Ballkanit
Ish-ultranacionalisti Aleksandar Vuçiq është shndërruar në eurofilin më të papritur të Evropës, shkruan “The Economist”. Ai kontrollon çdo gjë, përfshirë dhe policinë dhe shërbimin sekret, dhe prapë gëzon imazh të mirë në botën e jashtme. Kjo i zemëron shumë kritikë të tij në Serbi.
Aleksandar Vuçiq e pranon se disa njerëz e konsiderojnë “djalë të keq”. Shumica prej tyre janë të huaj, por ka edhe shumë serbë.
Aleksandar Vuçiq nuk është soji i njeriut që i druan ndryshimit të mendimit. Më 2005, kur serbët ishin të frustruar se Britania kishte marrë pjesë në luftën e NATO-s në Kosovë, ai ishte një prej redaktorëve të librit të titulluar “English Gay Fart Tony Blair” (kjo i bie “Pederi pordhac anglez, Tony Blair”. Vitin që shkoi ai e angazhoi ish-kryeministrin britanik si këshilltar të Qeverisë serbe. Kohët ndryshojnë, shpjegon zoti Vuçiq. Gjatë luftës së Kosovës, ai kishte shërbyer si ministër i propagandës së Slobodan Milosheviqit, liderit të Serbisë në kohën e luftës dhe spastrimit etnik. (Zoti Milosheviq vdiq në burg në Hagë më 2006 derisa po gjykohej për krime lufte). Por, që nga viti 2014, Vuçiq, 46 vjeçar, është kryeministër. Qëllimi kryesor strategjik i tij tani është të sigurojë anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian – njëherësh duke ruajtur marrëdhëniet e mira me Rusinë, thekson ai.
Vuçiq e pranon se disa njerëz e konsiderojnë “djalë të keq”. Shumica prej tyre janë të huaj, por ka edhe shumë serbë. Kritikët e quajnë autoritar që u është dorëzuar atyre që janë besnikë të fjalës së tij. Ka prej atyre që e konsiderojnë ultranacionalist të tërbuar. Ai mendon se kjo qasje reflekton pakënaqësi. “Ata po jetojnë në të nëntëdhjetat”.
Vuçiqit padyshim se i ka ardhur dita. Në fillim të vitit mbajti zgjedhje të parakohshme, duke theksuar se dëshironte të konfirmonte mandatin e tij për të ndjekur politikën e integrimit në BE. Koalicioni i tij fitoi shumicë modeste. Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, e vizitoi në gusht Beogradin. Dmitri Medvedev, kryeministër i Rusisë, pritet ta vizitojë në pjesën e mbetur të vitit. Krerët perëndimorë i referohen Vuçiqit, thënë me fjalët e Sebastian Kurzit, ministër i Punëve të Jashtme të Austrisë, si “spirancë e stabilitetit” në rajon.
Ky vlerësim reflekton pjesërisht ekonominë e përmirësuar të Serbisë. Menjëherë pas ardhjes në pushtet, Vuçiq zbatoi masa të ashpra dhe negocio një kredi prej 1,2 miliardë dollarësh me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Pas disa vitesh me tkurrje ekonomike, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Serbisë shënoi rritje prej 0,5 për qind më 2015 dhe pritet të rritet deri në 1,8 për qind sivjet. Por, shumica e suksesit vjen për shkak të qëndrimit diplomatik proevropian të Serbisë. Më 2015, në kohën e krizës së refugjatëve, Vuçiq ishte një prej krerëve të pakët që ofroi përkrahje të parezervë për politikën e Angela Merkelit të Gjermanisë, njëherësh duke kritikuar disa prej fqinjëve të tij në Europën Qendrore.
Kundërshtarët e Vuçiqit janë të zemëruar për shkak të imazhit të mirë të tij jashtë vendit. Ata e cilësojnë si autokrat të paskrupullt që qeveris me mesazhe telefonike dhe e mbush kabinetin me besnikë politikë të autoritetit të tij. “Është si puna e performancës teatrale me një aktor”, thekson një burim që kishte punuar me të. Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme e përshkruan stafin si një tufë “miqsh, kurtizanesh dhe kushërinjsh”, që nuk kanë kualifikime e nevojshme: “Është koha për nepotizëm”.
Të tjerët e përshkruajnë si një soj edhe më të errët autoritarizmi. Sasha Jankoviq, ombudsperson i Serbisë, thekson se shteti është reduktuar në një person të vetëm. Kryeministri, thekson ai, përzihet në punët e policisë, drejtësisë, shërbimit sekret dhe në shumicën e institucioneve të rëndësishme të vendit. Pasi kishte hetuar një rast keqpërdorimesh përfshirë edhe vëllain e kryeministrit, dosjet e policisë lidhur me vetëvrasjen e një miku më 1993 i ishin dorëzuar një ministri, thekson Jankoviq. Dosja i ishte dorëzuar pastaj shtypit; disa raporte pretendonin se vetë zoti Jankoviq e kishte vrarë burrin. Ai thekson se policia i ka thënë se ishte urdhëruar që dosja t’u dorëzohej eprorëve të tyre.
Vuçiqi entuaziast nuk i bën hesap këto akuza, duke theksuar se vijnë prej smirës së kundërshtarëve. Shqetësimi i tij është stabiliteti dhe zhvillimi rajonal, dhe shpreh shqetësimin e rrezikut të konfliktit të ri në Bosnjë, thekson ai. Njëherësh, prioritet e ka anëtarësimin e Serbisë në BE, dhe njëherësh përballet me sfida të shumta. Në atmosferën pas daljes së Britanisë nga BE, unioni nuk ka gatishmëri për zgjerim. Dhe Kroacia kërcënon të bllokojë anëtarësimin serb derisa Beogradi të mos heqë dorë prej ndjekjes penale të veteranëve kroatë të dyshuar për krime lufte.
Por Vuçiq e ka demonstruar se ka talent të jashtëzakonshëm për ta bërë njeriun e kthesës së madhe. Në tetor ai do të jetë nikoqir i takimit me Edi Ramën, kryeministër i Shqipërisë. Takimi mbahet në Nish. Serbët e shohin tradicionalisht si armik. Zyrtarë nga Kosova, që shpalli pavarësinë prej Serbisë më 2008, do të marrin gjithashtu pjesë në takim.
“98 për qind e serbëve e urrejnë këtë”, thekson Vuçiq me ton gazmor. Prapëseprapë, shqiptarët dhe serbët janë popujt më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor dhe duhet të bashkëpunojnë. “Mendoj se është e rëndësishme”. Nëse serbët nuk e pëlqejnë këtë, mund të më heqin qafe, thekson ai. Por kjo nuk duket se do të ndodhë. Dialogplus.ch