Vuçiç: Kosovën nuk e kemi humbur

Serbia nuk e ka humbur Kosovën, e për këtë jep garanci presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Në një intervistë për televizionin serb, “RTS 1”, Vuçiç më shumë se te çdo temë tjetër është ndalur te Kosova, e nuk ka ngurruar të garantojë serbët se “Kosova është ende e Serbisë, përndryshe vet ai nuk do të luftonte kaq shumë”.

“Kosova nuk është e humbur. Për këtë e garantoj popullin tim, përndryshe nuk do të luftoja aq shumë për të. Duam të gjejmë një kompromis për të jetuar në paqe. Një komromis, që do të bënte ta harrojmë të kaluarën, për të jetuar të ardhmen”, tha Vuçiç, shkruan tch.

Sipas presidentit serb, Kosova nuk do të mund të marrë asnjë vendim të rëndësishëm pa pasur miratimin e Serbisë.

“Ju tashmë e dini se, Kosova nuk mund të marrë vendime të mëdha pa miratimin e Serbisë. INTERPOL-i dhe UNESCO janë dy nga çështjet, nga të cilat Kosova e ka mësuar këtë realitet. Ne kemi 110 mijë banorë serbë në Kosovë”, tha Vuçiç.

Gjithsesi, Vuçiç thekson se është i shqetësuar për serbët në Kosovë, sepse – sipas tij, – ata janë të pasigurtë në territorin e tyre. “Megjithatë, – thotë presidenti serb, – ne jemi krenarë që në 4 vitet e fundit nuk janë vrarë serbët atje, pavarësisht se ka probleme të mëdha”.

SHKARKO APP