Vuçiç mohon përfshirjen e të birit në sulmin e Banjskës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mohoi se djali i tij, Danillo, është përfshirë në sulmin në Banjskë kundër policisë së Kosovës më 24 shtator.
Reagimi i Vuçiçit vjen pasi ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se në sulmin në Banjskë mori pjesë Millorad Jevtiç, që sipas tij, “njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danillo Vuçiç, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç”.
Vuçiç përmes një reagimi në llogarinë e tij në Instagram tha se djali i tij “nuk ka lidhje” me sulmin në Banjskë, “përveç se ai e do Serbinë dhe ‘Kosovën e Metohinë’ si pjesë të saj, në linjë me Kartën e Kombeve të Bashkuara”.
“Karakteristika e parë e një frikacaku është kur dikush sulmon familjen e tjetrit, fëmijët e tij, sepse ata gjithmonë janë shënjestra më e lehtë”, shkroi Vuçiç, duke iu drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht se ky i fundit nuk ka komentuar lidhur me deklaratat e bëra nga ministri Sveçla për djalin e presidentit serb.