Vuçiç: Nuk e ekstradoj Radoiçiçin në Prishtinë, sepse nuk e njohim Kosovën
Serbia nuk mund të ekstradojë Milan Radoiçiç në Prishtinë, pasi nuk e njeh Kosovën. Këto janë fjalët e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë një interviste për televizionin Sky News, ku shtoi se njeriu që ka marrë përgjegjësinë për sulmin e Banjskës, është një bashkëpunëtor i afërt i tij, por jo mik.
“Nuk mund të them mik, por po, është bashkëpunëtor i afërt, përderisa ishte zëvendës kryetar i Listës Serbe. Ndaj tij janë ngritur akuza kriminale”, tha Vuçiç.
I pyetur nga gazetari se pse nuk ia dorëzon Radoiçiçin autoriteteve në Kosovë, presidenti serb u përgjigj.
“A po talleni apo si? Ju e dini që në nuk mund të ekstradojmë dikë në Prishtinë, pasi nuk e njohim Kosovën si shtet”, u përgjigj ai.
Kreu i shtetit serb, shtoi më tej se nuk mund t’i quajë sulmuesit terroristë, edhe pse e dënon vrasjen e policit kosovar.
“Ata persona u dëbuan nga pragu i tyre”, deklaroi Vuçiç, që fajësoi për situatën autoritetet e Prishtinës.