Vuçiç, politikani që sundon Serbinë dhe që simpatizohet nga Merkel

Së shpejti do të mbahet faza finale e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. BE-ja thuhet se ka kërkuar që kjo fazë të zhvillohet në nivel presidentësh. Presidenti ynë nuk njihet për shkathtësi në dialogim – sepse nuk mund të jesh i shkathtë në dialogim me një fjalor aq të kufizuar – dhe e ka diskredituar figurën e tij në vend. Por, presidenti serb, për fatin tonë të keq aktualisht është në momentin e tij më të mirë
Vuçiq është lideri i preferuar i kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila nuk kishte ngurruar ta mbështeste edhe në zgjedhjet presidenciale të mbajtura në Serbi vitin e kaluar. Ato zgjedhje i kishte fituar edhe më bindshëm seç pritej Vuçiqi dhe përgëzimet për të kishin qenë të shumta.

Donald Tusk e kishte quajtur në një takim të mbajtur para një jave politikën serbe si “po aq kreative sa ishte edhe Nikolla Teslla në shkencë”. Një deklaratë mjaft shqetësuese për Kosovën që nuk ka idenë më të vogël sesi t’i dalë përballë këtij kreativiteti e që së fundi po përpiqet të unifikojë spektrin politik kundër Vuçiqit.

Por kush është Vuçiqi?

Ai është një 48 vjeçar që sundon me dorë të hekurt në Serbi. Popullariteti i tij është në rritje, ndërkohë që opozitarizmi kundër tij është thuaj qesharak. Vuçiqi ka kërkuar ‘dialog të brendshëm për Kosovën’ por i cili nga vetë serbët po interpretohet si ‘monolog’. Sidoqoftë, në letrën që ai shkroi para një viti, paraqiti shenja të qarta përparimi duke iu kërkuar serbëve që të pranonin realitetin e ri

Por, prapa asaj letre publike që me gjasë si lexues më shumë se serbin e rëndomtë që jeton në Serbi e mendonte lexuesin në Bruksel e në Washington – fshihej përpjekja për të marrë goxha shumë nga Kosova. Asociacioni i komunave me shumicë serbe duket në sfond. Ndërkohë që ndarja territoriale është një ide që thuhet se mbështetet prej tij ende.

Ai ka lindur në Beograd, por origjina e tij është nga Bosnja qëndrore. Të parët e tij ishin përzënë nga vendet e tyre prej fashistëve kroatë “ustashëve” gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ustashët madje ia kishin vrarë gjyshin dhe dhjetëra të afërm të tjerë.

Të dy prindërit e tij janë diplomuar për ekonomi. Babai i ka punuar si ekonomist ndërsa nëna si gazetare. Vetë Vuçiqi e ka kryer Fakultetin Juridik në Universitetin e Beogradit. Ai e ka mësuar anglishten në Angli derisa punonte si tregtar. Pas kthimit në Jugosllavi, ai kishte punuar si gazetar në Bosnjë. Në atë kohë, ai e kishte intervistuar politikanin e dënuar për krime lufte Radovan Karadziqin ndërkohë që kishte luajtur shah me gjeneralin Ratko Mlladiq.

Si i ri, ai kishte qenë tifoz i flaktë i Crvena Zvezdës dhe i kishe ndjekur ndeshjet e saj nga stadiumi. Mbase ka qenë në stadium edhe kur Prishtina e kishte mposhtur skuadrën e tij të zemrës në vitet 80.

Vuçiqi iu kishte bsahkuar Partisë Radikale Serbe [SRS] në vitin 1993, parti kjo që ideologjinë e saj e bazonte në nacionalizmin serb dhe që qëllim e kishte “Serbinë e Madhe”. Në moshën 24 vjeçare, ai ishte bërë sekretar i përgjithshëm i SRS-së.
Në vitin 1998, pra në kohën e luftës në Kosovë, ai ishte zgjedhur Ministër i Informacionit dhe kishte shërbyer në qeverinë e Mirko Marjanoviqit për dy vjet. Meqë padurimi me Millosheviqin po shtohej edhe brenda Serbisë, ai kishte xhobitur gazetarët që e kishin kritikuar qeverinë dhe madje i kishte ndaluar disa rrjete të huaja televizive. Në vitin 2014 ai e kishte pranuar se kjo gjë kishte qenë gabim, duke thënë se “nuk i vinte turp t’i rrëfente gabimet e tij politike.”

Gjatë periudhës së tij televizionet serbe ishin akuzuar se po shpërndanin propagandë nacionaliste që demonizonte pakicat etnike dhe që legjizimonte mizoritë që kryenin forcat serbe kundër tyre. Pra, po flasim për kohën e luftës në Kosovë. Nga një njeri që kishte qenë viktimë e mizorive Aleksandër Vuçiqi ishte bërë një përligjës i mizorive ndaj viktimave të tjera.

Pas mospajtimeve mes Tomislav Nikoliqit dhe Vojislav Sheshelit, Vuçiqi po ashtu e ndërroi partinë duke u bërë me të parin. Partia ishte quajtur “Progresive”. Prej atëherë e tekëndej, Vuçiqi i ka ndërruar pikëpamjet e tij. Ai e pranoi se krime të tmerrshme ishin kryer në Srebrenicë, duke thënë edhe se i vinte turp për serbët që e kishn bërë atë gjë.
“Nuk e fsheh se kam ndryshuar… jam krenar për këtë gjë,” i ka thënë ai AFP-së në një intervistë në vitin 2012.

Prej 29 shtatorit të vitit 2012, Vuçiq u bë lider i ri i partisë progresive dhe nuk duket se e ka ndërmend të tërhiqet.

Por, Vuçiqi megjithatë gëzon reputacion të mirë në Serbi edhe për luftën që i ka bërë korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Megjithatë, një njollë që s’mund t’i hiqet është mbështetja për projektin e “Serbisë së Madhe” dhe për nacionalizmin e tij të mëhershëm. Lëvizjet e tij të mençura politike e bëjnë atë një politikan mjaft problematik që mund ta dëmtojë mjaft të ardhmen e Kosovës./Periskopi

SHKARKO APP