Vuçiç tërbohet pse Ambasadori Britanik doli kundër ndryshimit të kufijve
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuqiç, i ka reaguar Ambasadorit të Britanisë së Madhe në Beograd, i cili doli kundër idesë së ndryshimit të kufijve.
Vuqiç ka thënë se Britania e Madhe po kundërshton ndryshimin e kufijve tash kur Serbisë po i konvenon ndërsa asnjëherë s’ka dalë kundër këtyre ndryshimeve që kanë ndodhur në dy dekadat e fundit.
Madje, Shefi i Shtetit Serb ka thënë se Britania e Madhe s’e ka penguar kur Serbisë i ishin ndryshuar kufijtë me ndarjen e Kosovës, Bosnjës, Kroacisë, Maqedonisë.
“Për serbët ka sjellë shumë rrezik dhe kosto pse i ndryshuat ju kufijtë në vitin 2008, kur e shkatërruat Serbinë në vitin 1991 dhe në vitin 1992″, është përgjigjur Vuçiq duke komentuar deklaratën e ambasadorit britanik në Beograd.
“Çdo 10 vjet, kur ju përgjigjet, ju mund t’i ndryshoni kufijtë, e kur dikush dëshiron të bëjë diçka pa dijen tuaj, atëherë ju e komentoni se do ta paguani koston dhe se rreziku është i madh”, ka shtuar Vuçiq, shkruan b92.net.
Kundër kësaj ideje ka dalë edhe Gjermania.
Ndërsa, SHBA duket se kanë ndryshuar qëndrim sa i përket pandryshueshmërisë së kufijeve.
“Politika jonë, politika amerikane është që, nëse të dyja palët mund të punojnë me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë korrigjimet territorial”, kishte thënë Bollton.
Zyrtarë të Presidencës së Kosovës kishin thënë se në këtë fazë është spekulim çdo ide që çon në shkëmbim të territoreve me Serbinë.
Por, nuk kishin mohuar nisjen e bisedave joformale me palën serbe për këtë ide. Sidoqoftë, Bekim Çollaku ka thënë se marrëveshja historike me Serbinë duhet t’i garantojë Kosovë anëtarësim në OKB dhe integrim euro-atlantik.
Krejt debatin për ndryshim kufijsh, Presidenti Hashim Thaçi e kishte nisur në fillim të këtij viti, kur dështoi të rrëzonte Gjykatën Speciale, institucion ky që pritet të ngrit aktakuzat e para për krime lufte. Vetëm Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli asnjëherë s’janë ballafaquar me drejtësinë as vendore dhe as ndërkombëtare. Për dallim prej tyre gjithë udhëheqja e UÇK’së në një formë apo tjetër kanë dalë para drejtësisë, shumica e të cilëve janë shpallur të pafajshëm, përfshirë Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Sami Lushtakun, Rrustem Mustafen, Sylejman Selimin, Azem Sylen e tash së fundmi edhe Agim Çeku për mashtrim me lista të veteranëve.