Vuçiçi nervoz: S’ka kush në rruzullin tokësor që më detyron të lëshoj pe ndaj shqiptarëve!
Kryeministri serb, Aleksander Vuçic, u shpreh sot se nuk do të bjerë dakord që t’i takojnë shqiptarëve pronat ku ai thotë se “ka investuar Serbia”, të cilat, sipas tij, “Kosova po përpiqet t’i rrëmbejë”.
“Unë nuk kam asnjë të drejtë të pranoj, as nuk mundem, as nuk dua e nuk ka gjë në këtë rruzull tokësor që do të më detyrojë për këtë”, ka thënë Vuçic para gazetarëve në Qeverinë serbe, një ditë pas dialogut me Prishtinën zyrtare në Bruksel, transmeton Telegrafi.
“Siç na kanë marrë Trepçën dhe Brezovicën dhe çdo gjë tjetër, dëshirojnë që me bekimin tonë të na marrin edhe Ujmanin (Gazivodën) dhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë”, shtoi kryeministri serb.
Vuçic shtoi se dialogu i djeshëm në Bruksel ishte i lodhshëm.
Ai tha se ka pasur presione të mëdha dhe se me këtë insistim, po rrezikon karrierën, por ai ka thënë “kryeni punën tuaj”.
“Kur e kanë parë se nuk kam ndërmend ta ndryshojë qëndrimin, atëherë ata kanë pranuar tri qëndrimet tona dhe e patën Marrëveshjen e Brukselit.
Kështu pra e dini të vërtetën për Marrëveshjen e Brukselit. Presionet ishin të mëdha dhe pakkush ka mundur t’i durojë”, tha Vuçic.