Vuri flamurin kuqezi në minare, Serbia dënon imamin shqiptar

Në minaren e xhamisë së fshatit Geraj të Preshevës, më 28 nëntor 2014 është ngritur flamuri shqiptar. Teksa imami i saj, Nexhat Jashari, ka marrë një letër nga gjykata për shkelje të ligjit, pasi akuzohet për “përdorim të simboleve të palejuara”.

Pas kësaj ngjarjeje, xhamia konsiderohet se ka kryer “vepër të jashtëligjshme” dhe gjoba e caktuar ndaj saj prej 300 eurosh është e pakthyeshme.

Dihet tashmë se problemi i simboleve në Luginë të Preshevës është i vjetër, pasi ndalohet me ligj përdorimi i çdo simboli që nuk është i shtetit serb e që i përket një tjetër shteti.

“Ka një varg dënimesh të shprehura në të holla, për institucione të ndryshme, duke filluar nga Komuna, madje edhe nga unë si kryetar”, thotë Ragmi Mustafa, kryetar i Preshevës.

Kurse imam Jashari thotë se herën e fundit e kanë mbyllur xhaminë, por ajo është thyer dhe flamuri është vënë. Ai kërkon nga politika zgjidhje, në mënyrë që të mos ketë më autoritete në adresën e tij.

Edhe pse thotë se është i pafajshëm, hoxha do ta paguajë gjobën, por lutet që të mos ketë më probleme për valëvitje flamujsh.

SHKARKO APP