VV – Ahmeti: Tirana të reagojë për vdekjen e Astrit Deharit, po flet PE

Kreu i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kërkon një qëndrim nga Tirana zyrtare lidhur me vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Në studion e lajme të Ora News, Ahmeti tha se kanë kërkuar hetim të pavarur për të vënë drejtësi për Astritin.

Ahmeti: Ne kemi kërkuar hetim të pavarur në mënyrë që të kuptojmë, tashmë është një shqetësim shumë i madh në Kosovë kjo.I thashë dhe kryetarit Veliaj dhe shpresoj të kemi deklarim dhe nga institucionet e Republikës së Shqipërisë sepse po flet Parlamenti Europian. Kemi deputetë të parlamentit belg, të Partisë Socialiste atje, deputetë në Danimarkë, gjithandej në Europë, kemi Amnesty International që kërkojnë hetim të pavarur e drejtësi. Do të ishte mirë që edhe ne si shqiptarë në përgjitrhësi dhe Republika e Shqipërisë të  flasin për këtë çështje sepse është e domosdoshme për shëndetin e shoqërisë sonë dhe për shëndetin e kombit tonë.

Ahmeti tha se zbardhja e vdekjes së Astritit është kthyer në një çështje ditë në Kosovë, ku çdo ditë ka protesta dhe marshime.

Ahmeti: Krejt Kosova është ngritur në këmbë, ka protesta dhe marshime të përditshme të kërkimit të drejtësisë për Astritin. Shoqëria civile po i organizon dhe shoqëria civile zakonisht në Kosovë nuk ka marrë hapa të tillë të protestave dhe pse ka qenë e zëshme për këto gjëra.Por definitivisht është një shqetësim që po vërehet në çdo diskutim. Familja e Deharit është një familje patriotike, Por tashmë është fëmija i dytë që kanë humbur për një periudhë shumë të shkurtër. Edhe vëllai i Astritit, Arbnori ka vdekur para dy viteve në rrethana të paqarta, ku nuk ka asnjëherë rezultat përfundimtar të hetimit se çfarë ka ndodhur.

Sipas kryekomunarit të Prishtinës, arsyet e vdekjes së tij mbeten të paqarta dhe dilema e madhe është nëse kemi të bëjmë me vrasje apo vetëvrasje të tij.

Ahmeti: Një aktivist i ri 26 vjeçar i Lëvizjes Vetëvendosje, burgoset, mbahet në burg  për 67 ditë pa aktakuzë, por më e keqja dhe pa u marrë në pyetje fare nga hetuesit. Ndodhi një sulm në Kuvend nëqoftëse ju kujtohet, ishte dy ditë para Demarkacionit dhe mendoj se qëllimi ishte që të prezantohet VV si terroriste dhe fabrikuan të gjitha ato dëshmi dhe u futën 6 djem dhe vajza të reja në burg. Paramendoni situatën kur dikush akuzohet për terrorizëm dhe nuk merret në pyetje për 2 muaj  e gjysmë.Astriti ka vdekur në rrethana të dhunshme sepse ka vdekur nga asfiksia me një objekt të fortë.Tashmë diskutimi i shtetit është nëse kemi të bëjmë me vrasje apo vetëvrasje.Ata e kanë marrë në pranga dhe e kanë kthyer në arkivol pa aktakuzë dhe pa asgjë, është e qartë kjo punë se kush është përgjegjës.E dyta, duhet të besojmë që ia ka zënë frymën vetes me një shishe plastike që është vështirë e besueshme.

SHKARKO APP