“Washington Post”: Kosovarët myslimanë zbulojnë rrënjët e tyre katolike
A E përditshmja amerikane “The Washington Post”, ka bërë një hulumtim për rrënjët e shqiptarëve të Kosovës në aspektin religjioz. Sipas hulumtimit të kësaj gazete, del se rrënjët e hershme të myslimanëve kosovarë i përkasin pikërisht religjionit katolikoroman. Në fshatin Gjonaj të rajonit të Prizrenit, ekziston një kishë e vjetër më shumë se njëmijë vjeçare e cila është njëra nga dëshmitë për rrënjët katolike të shqiptarëve. Çelësat e kësaj kishe i mbajnë serbët të cilët, thonë se u përket atyre, mirëpo banorët e atyshëm thonë se kjo kishë u përket shqiptarëve dhe ka qenë e tyre deri në konvertimin e fshatit në Islam. Një banor i këtij fshati, i cili njëkohësisht është edhe prift ka thënë se beson që i gjithë Ballkani ka qenë me besim katolik, dhe sipas tij, janë pikërisht objekte të tilla fetare, si kjo kishë në Gjonaj që e dëshmojnë përkatësinë fetare të shqiptarëve dhe ballkanasve në kohën e dominimit dymijë vjeçar të Perandorisë Romake. Pasi Kosova kaloi nën regjimin otoman, nga pjesa e parë e shekullit 15 e deri në vitin 1912, pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës u konvertuan në Islam. Mirëpo, përkundër asaj që pjesa më e madhe e rajonit të Brodit tashmë janë myslimanë, shumica e banorëve të këtij rajoni e përkrahin këtë hulumtim dhe kanë shprehur interesim për zbulimin e rrënjëve të tyre pothuajse të harruara. “Kjo është historia e kombit tonë, ka thënë Ademi, paraardhësit tanë kanë qenë katolikë dhe këta janë hapat tanë të parë për zbulimin e rrënjëve tona”, ka shtuar ai. Zyrtarisht 90% e popullatës së Kosovës i takon besimit islam, ndërsa vetëm 3% e tyre atij katolik. Mirëpo, ndryshe nga këto të dhëna, prifti katolik Dodë Gjergji mendon se këto shifra fshehin afinitetin e vërtetë shpirtëror të kosovarëve. Sipas Gjergjit, vetëm 10% e popullatës kosovare e praktikojnë besimin mysliman, ndërsa pjesa tjetër janë sekularë. “Besimi islam nuk është diçka që shqiptarët e kanë marrë vullnetarisht, por ka qenë diçka që ju është imponuar”, ka thënë Gjergji.
“Historia kristiane është më e fortë se historia otomane”, ka shtuar ai, duke folur për Washington Post. Gjergji ka thënë se është mjaft i kënaqur me rritjen që ka shënuar religjioni katolik në vitet e fundit. “Jemi shumë të kënaqur për shkak se në këtë kohë pasigurie duhet guxim i madh që dikush të deklarohet se dëshiron të kthehet në rrënjët e veta”, ka thënë ai. Po ashtu, në Kosovë nuk mungojnë as familjet ku bashkëjetojnë dy fetë, ajo myslimane dhe katolike. Agron Bytyqi, ishushtar i UÇKsë, tani piktor dhe profesor i artit në Universitetin e Prishtinës, tregon se është rritur me babanë katolik dhe nënën myslimane. “Si fëmijë nuk e kam ditur se çfarë religjioni i përkas, por pasi jam rritur kam pasur lirinë për të zgjedhur njërën nga të dyja fetë”, thotë Agroni, i cili është pagëzuar në vitin 1995. Në anën tjetër, feja katolike njeh edhe “Laramanë”, të cilët e fshehin besimin e tyre të vërtetë. Epiqendra e këtij komuniteti është në lindje të Kosovës. Gjysma e shtëpive të fshatit Zhegër janë laramanë. Ata nuk kanë kishë në fshat, por janë të njohur për ndezjen e qirinjve dhe lutjes në shtëpi sipas traditave katolike. Një “Laraman”, Rexhep Sejdiu, jeton në Zhegër që 38 vite dhe është pronar i një pompe të benzinës.