Xhufi: Shqipëria gjithmonë e ka pasur në mendje Kosovën

Historiani Pëllumb Xhufi tha në studion e “Dritare me Rudinën” në Vizion Plus, se Shqipëria dhe Kosova duhet të realizojnë marrëveshjet e nënshkruara midis tyre, pasi ato u shërbejnë të ardhmes së dy vendeve. Teksa e quajti deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj, si të nxituar dhe një deklaratë që nuk duhej bërë.

Xhufi solli gjithashtu shembuj nga historia dhe në fund e mbylli duke i kujtuar ministrit Hoxhaj, se mbase Shqipëria nuk është aktor global, por mund të jetë zëdhënës i aktorëve globalë.

“Problemi ynë është se elitat tona nuk janë formuar në Shqipëri, por jashtë vendit. Nuk kemi një rilindje me një program të shkëlqyer në politikën ndërkombëtare. Ne kemi disa marrëveshje ekonomike midis dy vendeve, të cilat nuk po realizohen dhe nuk po shihen rezultate konkrete. Kush nuk do që të realizohen ato marrëveshjet midis dy vendeve? Kjo duhet të zbulohet”, u shpreh Xhufi.

Më tej, Pëllumb Xhufi kujtoi historinë e dy vendeve, dhe tregoi se Shqipëria gjithmonë e ka pasur në mendje Kosovën.

“Ka një histori të tërë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Shqipëria gjatë historisë, ka prishur marrëdhëniet me Jugosllavinë. Madje edhe vetë Enver Hoxha, gjëja e parë që i ka kërkuar Titos, ishte t’i jepte Kosovën. Deri në ’81, u prishën marrëdhëniet edhe pse Shqipëria ishte në një gjendje të keqe ekonomike. Shqipëria e ka pasur gjithmonë  në mendje Kosovën. Shqiptarët janë identifikuar me gjuhën, kulturën traditat, dhe kjo do të jetë mënyra për t’i bërë një”, tha ai.

SHKARKO APP