Zbardhen përgjimet ndaj Presidentit Thaçi
Presidenti Hashim Thaçi është përgjuar duke komunikuar me shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcin. Në bisedat e publikuar nga “Insajder”, Thaçi është treguar i kujdesshëm gjatë bisedave me Adem Grabovcin. Ai flet kryesisht me kode që i njohin vetëm ata. Megjithatë, Thaçi flet edhe për emra konkret të caktimit të njerëzve në institucione.
Koordinon veprimet për t’i detyruar deputetët për të votuar për ligje. Shprehet i gatshëm të punojë sipas kërkesave të ndërkombëtarëve, teksa deklarohet se “do të luaj k… me amerikanët”.
Komunikimi mes tyre është i rregullt dhe i vazhdueshëm. Ata konsultohen për gjithçka, madje edhe për caktime të njerëzve të tyre nëpër pozita të larta shtetërore.
Kur është puna për veprime të tilla, Thaçi, që aso kohe ishte kryeministër i vendit dhe lider i partisë më të madhe në pushtet, flet me kode.
Gjatë bisedave të presidentit të vendit, Hashim Thaçi me Adem Grabovcin, Jakup Krasniqit i referohen si “sheqer”, “sheqerash” e i “sëmurë prej sheqeri”. Këtë e bëjnë me përbuzje duke ia përmendur vazhdimisht këtë problem shëndetësor.
Në një bisedë, Grabovci i tregon Thaçit se ka biseduar me Ambasadën Amerikane, të cilët janë pajtuar me këtë gjë. Thaçi e porosit Grabovcin që t’u thotë amerikanëve se çfarëdo që kërkojnë ata, për të është në rregull.
“Nejse, unë bisedova me kta të Ambasadës… Amerikane, e kta e kanë ndryshu atë kërkesën e parë…”. “Edhe kta t’Ambasadës më than edhe me shku qishtu qysh o, qysh u propozu sot, tha nuk dëmton kurgjo veç ndikon pozitivisht”.
“E kom lon në mëngjes… n’mëngjes e kom lon edhe niher me Aleksin edhe me ata…”, tregon Grabovci. “Po de, thuj unë fola edhe me kryeministrin, thuj nuk ka ktu naj efekt, ai po pajtohet qysh të thoni ju”, vazhdon Thaçi.
“U ba”, thotë Grabovci.
Thaçi i thotë Grabovcit se do të luaj k… me amerikanët.
“Hajt se luj koqe me ta, veç i thom të gjitha këto vendime kanë qenë në fuqi, po s’kanë qenë të vëmendshëm deputet që kanë votu…”, vazhdon ish-kryeministri.
“Okej”, pajtohet Grabovci.
“Hajde, të përqafoj fort ty”, thotë Thaçi teksa i tregon se të nesërmen do të ketë takim me sekretaren amerikane, Hillary Clinton. Thotë se ka me plas opozita.
“Ata kanë me plasë”, thotë Thaçi.