Zbatohet marrëveshja për gjykatat në veriun e Kosovës, Thaçi dekreton gjykatësit dhe prokurorët e rinj

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dekretoi sot emërimin e 40 gjykatësve dhe 13 prokurorëve të rinj, që do të punojnë në institucionet e drejtësisë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Të gjithë ata morën pjesë në ceremoninë e betimit para Presidentit, me të cilën u përmbush edhe marrëveshja për drejtësinë në veriun e Kosovës, e cila ishte arritur më 10 shkurt të vitit 2015 dhe parashikonte shuarjen e gjykatave dhe prokurorive të kontrolluara nga Beogradi dhe integrimin e gjykatësve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Më 31 gusht në takimin ndërmjet presidentit Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç të ndërmjetësuar nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ishte vendosur që 17 tetori të shënojë hyrjen në fuqi të marrëveshjes por zbatimi i saj u shty për disa ditë me kërkesë të Beogradit.

Pas ceremonisë së sotme presidenti Thaçi përgëzoi prokurorët dhe gjykatësit e rinj, duke nënvizuar se emërimi i tyre pasqyron plotësisht natyrën shumetnike të Kosovës.

Zbatimi i marrëveshjes u mirëprit nga Bashkimi Evropian i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. Këto bisedime, në kuadër të të cilave ishte edhe marrëveshja për drejtësinë, i siguruan asaj hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kosovës marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

SHKARKO APP