Zbehja e BE-së e kthen Ballkanin nën shënjestrën e Rusisë
Zbehja e rolit të Bashkimit Evropian në Ballkan, ka sjellë si kundër-efekt rritjen e ndikimit të Rusisë, thonë njohësit e zhvillimeve politike.
I ballafaquar me sfidat e zgjerimit dhe sidomos me referendumin për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, ky union, sipas analistëve, ka lënë anash rajonin e Ballkanit, i cili është vënë tani në shënjestër të interesave të Rusisë.
Politologu Ramush Tahiri mendon se vonesat në proceset integruese evropiane, paraqesin rrezik për Ballkanin Perëndimor.
I lënë si një terren pa perspektivë të qartë evropiane, Ballkani, sipas Tahirit po shihet sërish nga Rusia si mundësi për ta shtrirë ndikimin.
Ndërkaq, sa i përket Kosovës dhe ndikimeve nga shtrirja e politikës ruse, vetëm një marrëveshje ndërkombëtare për njohjen e saj nga Serbia, do të relaksonte situatën, mendon ai.
“Çështja mes Kosovës dhe Serbisë mbeti pa e përfunduar, qoftë me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit apo me një marrëveshje ndërkombëtare ku përfundimisht pranohet pavarësia e Kosovës, kështu që Serbia mbetet terren i përshtatshëm për ndikimin rus”.
“Gjithashtu, për shkak të problemeve që kanë Turqia dhe Greqia, qofshin ato tradicionale, problemeve të ujdhesave, por edhe çështjes së Qipros dhe ndarjes së saj, atëherë politika ruse gjen një terren më të përshtatshëm të ndikimit në këto vende”, thekson Tahiri.
Po ashtu, edhe nëpërmjet lidhjeve të vjetra ruse, të cilat sipas Ramush Tahirit janë riafirmuar së fundit te disa vende të Evropës Lindore apo Juglindore, po tentohet të arrihet një shtrirje e re ruse, ndonëse jo më nën firmën e real-socializmit, por nën kupolën e një politike mbrojtëse.
Rrethanat aktuale, sipas Tahirit, po tregojnë se Ballkani mund të kthehet sërish në vatër krize, nëse nuk përshpejtohen proceset euro-atlantike në njërën anë dhe nëse nuk përmbyllen çështjet e brendshme, siç është rasti me Kosovën e Maqedoninë, të cilat mbeten shtete ende jo stabile.
“Ballkani mund të përfshihet në një vatër krize nëse nuk përshpejtohet hyrja në NATO e Malit të Zi dhe të themi ashtu, të arrihet mbyllja e rrethit si dhe nëse Maqedonia dhe Kosova nuk stabilizohen, por hapen tema, çështje”, vlerëson Tahiri.
Ndërkohë, analisti Arben Qirezi thotë se Rusia po përpiqet të kthejë ndikimin e saj në disa vende të Evropës Lindore, të cilat tradicionalisht kanë qenë të lidhura me Rusinë, përkatësisht ish-Bashkimin Sovjetik.
Në Bullgari e Moldavi, thotë ai, tashmë ka lidershipe të orientuara kah Rusia. Kurse në Ballkan, Serbia mbetet aleati më i afërt i Rusisë.
Një tendencë e Rusisë për t’u përfshi në Ballkan, sipas tij, u vërejt me zgjedhjet e fundit edhe në Mal të Zi, ku autoritetet e Podgoricës patën akuzuar Moskën dhe Beogradin për përgatitjen e atentatit kundër ish-kryeministrit Milo Gjukanoviq.
“Për shkak të problemeve të brendshme në BE, të shkaktuara edhe nga BREXIT-i por edhe nga një lodhje e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si dhe nga kriza e refugjatëve dhe konflikti në Lindjen e Mesme, BE-ja sikur e ka lënë anash rajonin e Ballkanit, vendet ballkanike, duke i lëshuar rrugën Rusisë”, konsideron Qirezi.
Roli dhe ndikimi i Rusisë në Ballkan, sipas Arben Qirezit mund të jetë ndikuar së fundit edhe nga zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai mendon se të gjitha këto zhvillime, mund të jenë kuptuar nga Rusia si sinjale për të vepruar në Ballkan.
“Po ashtu, edhe viti zgjedhor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe paqartësitë që kanë lindur me zgjedhjen e presidentit Trump në krye të Shteteve të Bashkuara, kanë shkaktuar një lloj pasigurie dhe në njëfarë mënyrë mbase i kanë dhënë sinjale Rusisë se ajo i ka duart e lira që të veprojë në rajonin e Ballkanit”, shprehet Qirezi.
Sa i përket Kosovës, njohësit e zhvillimeve politike thonë se shtrirja e ndikimit rus vjen nga Serbia, si aleate tradicionale e Rusisë, e cila shtrinë më pas politikat e saj përmes serbëve lokalë, kryesisht në veri të vendit ku popullata serbe përbën shumicën.
Sidoqoftë, orientimi politik i proklamuar i institucioneve dhe politikës zyrtare në Kosovë, është për një vend demokratik, të orientuar kah integrimet euro-atlantike dhe bota perëndimore.
Kështu që Kosova, sipas analistëve, mund të atakohet nga interesat ruse, por besohet se ka një mbështetje të fuqishme nga Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe një pjesë e vendeve evropiane, që ta ndalin këtë ndikim. (REL)