Zbritet dënimi për ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafa
Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale e ka ulur në 22 vjet burgim dënimin prej 26 vjetësh për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, duke e përfshirë kohën e kaluar në paraburgim.
Mustafa ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej shtatorit të vitit 2020.
Vendimi për ulje të dënimit është bërë i ditur nga kryetarja e trupit të Apelit, Michele Picard, të enjten, në sallën e gjyqit në Hagë ku i pranishëm ishte edhe Mustafa.
Aktgjykimi i 14 dhjetorit është i pari i Apelit për krime lufte i shqiptuar në Gjykatën Speciale.
“(Paneli i Apelit)Anulon dënimin me 10 vjet burgim në lidhje me pikën 1 të aktakuzës dhe cakton një dënim me 8 vjet burgim; anulon dënimin me 22 vjet burgim në lidhje me pikën 3 të aktakuzës dhe cakton një dënim me 20 vjet burgim; anulon dënimin me 25 vjet burgim në lidhje me pikën 4 të aktakuzës dhe cakton një dënim me 22 vjet burgim. Anulon dënimin e njësuar me 26 vjet burgim për zotin Mustafa dhe cakton një dënim të njësuar me 22 vjet burgim për zotin Mustafa, duke kaluar kohën e kaluar në paraburgim”, ka thënë kryetarja e Apelit, Michele Picard, duke sqaruar se verdikti për fajësinë e tij për pikat 1, 3 dhe mbetet në fuqi porse vetëm është ulur dënimi.
Salih Mustafa ishte dënuar në dhjetor të vitit të kaluar nga Gjykata Speciale, me 26 vjet burgim si dënim të njësuar për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.
Ai ishte dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme.
Mustafa ishte shpallur i pafajshëm për trajtim mizor. Vetë ai ishte deklaruar i pafajshëm për këto krime.
Picard ka thënë se aktgjykimi duhet të zbatohet me efekt të menjëhershëm, ndërkaq ka urdhëruar që Mustafa të mbetet paraburgim deri në finalizimin e masave për dërgim në shtetin ku do të vuajë dënimin.
Më vonë gjatë këtij viti, Salih Mustafa e kishte apeluar vendimin prej 26 vjetësh burgim duke kërkuar shpalljen e një vendimi pafajësie apo ulje të dënimit.
Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar që aktgjykimi dënues të mbetej në fuqi meqë sipas saj, për këtë kishte prova të besueshme.
Dënimi ndaj Mustafës kishte shënuar aktvendimin e parë të Speciales lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.
Çka konstatoi Paneli i Apelit?
Pasi Salih Mustafa argumentoi se dënimi ndaj tij është i tepruar, Paneli i Apelit ka analizuar jurisprudencën ndërkombëtare dhe të Kosovës në lidhje me krime lufte të krahasueshme me ato për të cilat u dënua zoti Mustafa, tha të enjten kryetarja e trupit të Apelit, Michele Picard.
“Paneli i Apelit konstaton se në çështjet e gjykuara nga Tribunali Ndërkombëtar dhe nga gjykatat e Kosovës, lidhur me krime lufte të krahasueshme me ato për të cilat u dënua zoti Mustafa, dënimet e dhëna ishin më të shkurtra se dënimi i zotit Mustafa”, tha ajo.
Ajo bëri të ditur se “Paneli konstatoi se mospërputhja midis dënimit të zotit Mustafa dhe dënimeve që analizoi paneli tregon se trupi gjykuesi tejkaloi kufijtë e diskrecionit në këtë rast”.
“Rrjedhimisht, paneli i apelit gjykon se duke i dhënë zotit Mustafa dënime jasht proporcionit të arsyeshëm krahasuar me një varg dënimesh të dhëna në rrethana të ngjashme për vepra penale të ngjashme, turpi gjykues ka kryer një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë”, tha Picard para se të shqiptoi vendimin me të cilin Mustafës iu hoqën 4 vjet burgim.
Mustafa kishte parashtruar disa kundërshtime duke pretenduar se janë bërë gabime juridike dhe faktike në vendimin e trupit gjykues për ta shpallur atë fajtor, por ato u rrëzuan nga Paneli i Apelit.
Përmes avokatit të tij, Mustafa kishte thënë se gjatë shqiptimit të dënimit, trupi gjykues ishte selektiv dhe mori parasysh vetëm dëshmitarët që dëshmuan kundër Mustafës. Këto kundërshtime u rrëzuan nga Paneli i Apelit.
Rrjedha e procesit gjyqësor
Mustafa ishte arrestuar dhe transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020.
Krimet për të cilat ai mbahet përgjegjës, është thënë se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.
Procesi gjyqësor ndaj tij kishte nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe gjatë tij kanë dëshmuar 29 dëshmitarë, 14 prej tyre të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes.
Në mesin e këtyre dëshmitarëve kishte edhe persona që u paraqitën si viktima.
Në muajin prill Gjykata Speciale e Kosovës kishte nxjerrë një vendim, me të cilin e detyron Mustafën t’ua paguajë 207 mijë euro viktimave të vrasjes së paligjshme, ndalimit arbitrar dhe torturës.
Në shpalljen e urdhrit për zhdëmtim më 6 prill 2023, gjykata konstatoi se janë tetë viktima të cilave do t’u takojë dëmshpërblimi.
Sipas Prokurorisë së Specializuar në Hagë, në rastin e Mustafës, të gjitha viktimat janë shqiptarë të Kosovës.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Gjykata Speciale e Kosovës është formuar pas publikimit të një raporti të Këshillit të Evropës më 2011, nën autorësi e senatorit zviceran, Dick Marty. Më 2015, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për formimin e kësaj gjykate. REL