Zëri Amerikës: Fitore e thellë e Albin Kurtit

Një numër organizatash publikuan anketat sipas të cilave lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve. Ndonëse kanë paraqitur rezultate të ndryshme, sipas anketave Vetëvendosje radhitet shumë lartë në krahasim me partitë e tjera politike dhe pas saj radhiten Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ambasada amerikane në Prishtinë, përgëzoi qytetarët e Kosovës që “votuan në mënyrë paqësore sot, pavarësisht motit dhe pandemisë. Tani është e rëndësishme që t’i jepet kohë dhe hapësirë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera të Kosovës që t’i numërojnë votat dhe të bëjnë punën e tyre”, thuhet në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.

Numërimi i votave mund të marrë disa ditë edhe për shkak të votave me postë dhe atyre me kusht.

Sipas anketave nuk duket që Vetëvendosje të sigurojë një shumicë prej 61 votash në parlament për të themeluar e vetme qeverinë, ndërsa një bashkëpunim mes partish është i domosdoshëm për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Dështimi për të bërë një gjë të tillë, mund ta çojë vendin sërish në zgjedhje.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që është kandidat për postin e presidentit, i uroi fitoren lëvizjes Vetëvendosje pas kohë pas fillimit të numërimit të votave.

Lëvizja Vetëvendosje nuk komentoi anketat dhe u bëri thirrje mbështetësve që të shmangin kremtimet në sheshe për shkak të motit të lig por edhe për shkak të pandemisë së COVID-19.

SHKARKO APP