Zëri i Amerikës: Çfarë pritet pas zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë

Zëri i Amerikës thekson se rezultati i zgjedhjeve të parakohshme që ka nisur që prej orës 07.00 të mëngjesit është vështirë i parashikueshëm, referuar edhe analizave të ditëve të fundit.

Sipas VOA, koalicionet e reja pas zgjedhjeve që janë të pashmangshme dhe deri më tani asnjëherë nuk ka ndodhur që një parti e vetme të fitojë vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

“Diplomatët kanë bërë thirrje që menjëherë pas zgjedhjeve të formohet shpejt një qeveri që do të përballet me sfidat që e presin Kosovën, në radhë të parë me ripërtëritjen e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.

Diplomatët amerikanë presin që kjo të ndodhë pas zgjedhjeve për të rihapur bisedimet dhe derisa në muajin gusht sekretari Mike Pompeo, emëroi zotin Mathew Palmer si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin, të enjten presidenti Donald Trump, emëroi ambasadorin Richard Grenell, si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë”, thekson VOA, e cila thekson se “Vazhdimi i bisedimeve mund të pritet pas zgjedhjeve në Kosovë dhe diplomatët shpresojnë që kjo të ndodhë para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm”.

SHKARKO APP