Zëri i Amerikës tregon se çfarë ndodhi në takimin Kurti-Vuçiç

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, zhvilluan takimin e dytë të hënën në Bruksel në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyjave vendeve, por, pa ndonjë pajtim.

Kryeministri Kurti tha se hodhi në tryezën e bisedimeve “një marrëveshje të shkruar me gjashtë nene si një deklaratë e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u refuzua. Pra, atë çfarë kisha kërkuar herën e kaluar që të kemi një deklaratë të paqes, e kam përgatitur në mënyrë të balancuar me një teskt me gjashtë nene mirëpo u refuzua ende pa u lexuar dhe për mua kjo tregonte mos gatishmërinë për marrëveshje meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, tha zoti Kurti.

Më tej ai tha që ka paraqitur edhe 11 barriera që sipas tij i vendos Serbia ndaj Kosovës në aspektin tregtar duke kërkuar që të ato të largohen, ndërsa theksoi se Serbia refuzoi të nënshkruajë një deklaratë të përbashkët.

“Insistuam se aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit të futet edhe fjala “përballja me të kaluarën” dhe kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga ndërmjetësi zoti Borrell, mirëpo u refuzua nga presidenti i Serbisë dhe ai nuk pranoi që të futet togfjalëshi ballafaqimi me të kaluarën”, tha ai duke shtuar se “duket që kryetari i Serbisë e sheh shumë personalisht këtë punë”.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha pas takimit se Bashkimi Evropian ka propozuar tri pika “që kanë të bëjnë me shtimin e përpjekjeve për të identifikuar eshtrat e personave të zhdukur, për t’u përmbajtur nga veprimet që mund të destabilizojnë situatën dhe që udhëheqësit e bisedimeve të takohen rregullisht një herë në muaj”. Ai tha se këto pika të cilat Serbia i pranoi, u refuzuan nga shqiptarët.

“Sidomos është interesante që ata nuk donin të pranonin pikën e dytë, të përmbaheshin nga veprimet që mund të destabilizonin situatën, ata e kushtëzuan atë gjatë gjithë kohës me disa kritere të reja politike”, tha presidenti Vuçiç.

Por, kryeministri Albin Kurti e quajti gënjeshtër deklaratën e presidentit serb se Kosova ka refuzuar një gjë të tillë.

“Kjo është gënjeshtër, ai po gënjen sepse ne përkundrazi, kemi kërkuar që të futet edhe fjala paqe dhe siguri, jo vetëm stabilitet, pra çfarëdo veprimi ose deklarate që kërcënon paqen, sigurinë dhe stabilitetin është e papranueshme dhe ne jemi dakord me këtë, por arsye që sot nuk kemi qëndrim të përbashkët është për shkak se ndonëse ndërmjetësit ishin dakord, ishte pala serbe e cila kursesi nuk e dëshironte togfjalëshin ballafaqimi me të kaluarën”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se pala shqiptare ka kushtëzuar vazhdimisht me kritere të reja politike duke akuzuar Serbinë si përgjegjëse për të kaluarën e saj.

“Disa erdhën kryesisht për të shkatërruar bisedimet, dhe unë jam jashtëzakonisht i shqetësuar për fjalinë e dytë që ata nuk deshën të pranojnë dhe kjo është se ata do të përmbahen nga veprimet që mund të destabilizojnë situatën në terren”, tha zoti Vuçiç.

Edhe, i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, e quajti takimin të vështirë që, sipas tij “demonstroi qasje shumë të ndryshme të palëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre”.

“Si pasojë kemi arritur shumë pak përparim sot. Disa propozime konkrete u diskutuan por rezultati i vetëm që mund të raportoj sot është që bisedimet do të vazhdojnë. Palët ranë dakord që negociatorët kryesorë do të zhvillojnë takime në baza mujore të lehtësuara nga BE-ja për të adresuar çështjet dhe për të përgatitur takime të nivelit të lartë kur të jenë të gatshëm”, tha zoti Lajçak duke u përkujtuar Kosovës dhe Serbisë së e ardhmja e tyre në Bashkimin Evropian varet nga normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Zoti Lajçak tha se gjatë muajit shtator mund të mbahet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha para fillimit të bisedimeve se ky proces dhe rezultati i tij janë rruga drejt së ardhmes evropiane të të dyja palëve.

“Kosova dhe Serbia kanë nevojë që përfundimisht të mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe të shikojnë drejt të ardhmes evropiane, për qytetarët e tyre. E ardhmja është më e rëndësishme se e kaluara. E kaluara është e rëndësishme, por ne duhet të shikojmë përpara”, tha zoti Borrell duke shtuar se bisedimet kanë ofruar mundësi reale për qytetarët e të dyja vendeve.

“Është me rëndësi për të dyja, për Kosovën dhe Serbinë, si ambicioze për të përparuar në agjendën e tyre evropiane por edhe për qëndrueshmërinë dhe përparimin ekonomik për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha zoti Borrell.

Diplomatët perëndimor janë vënë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e bisedimeve me shpresë për një marrëveshje para vitit të ardhshëm kur Serbia mban zgjedhjet parlamentare e presidenciale, gjë që do të çonte në një pezullim të ri të procesit të filluar dhjetë vjet më parë nga të dyja vendet, që aspirojnë integrimet evropiane. Por, pak vëzhgues besojnë në një mundësi të tillë./voa

SHKARKO APP