Zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës, Mustafa: Duhet të ketë marrëveshje
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit duhet të ketë një marrëveshje, e cila siguron përkrahje të gjerë dhe 80 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Mustafa i bëri këto komente pas një takimi me Grupin Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo që udhëheq me Qeverinë e Kosovës.
Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit, pasi Gjykata Speciale konfirmoi akuzat ndaj tij, këtë detyrë po e ushtron kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani. Mirëpo, në bazë të Kushtetutës ajo mund të qëndrojë në këtë detyrë më së shumti 6 muaj. Koalicioni aktual qeverisës i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe pakicat nuk e kanë shumicën prej 80 deputetëve të Kuvendit.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka shpallur kandidaturën për president, por dy partitë tjera të koalicionit kanë qenë të rezervuara lidhur me këtë kandidaturë. Për zgjedhjen e presidentit të ri duhen votat e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës apo të Lëvizjes Vetëvendosje.
Lëvizja Vetëvendosje insiston në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa tha se ende nuk ka një vendim të PDK-së që ata do të bëjnë një propozim të kandidatit për president.