Zgjedhje të reja, Veseli: Udhëheqim nëse frikacakët ikin nga përgjegjësitë
”Nëse këta frikacakë ikin kështu si struc nga frika për të marrë përgjegjësi shumë shpejt do të ketë fushatë elektorale dhe shumë shpejt do të jetë PDK në udhëheqje të vendit”. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli komentoi kështu negociatat për bashkëqeverisjen mes partisë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit dhe forcës së dytë politike.
Ai kritikoi Vetëvendosjen dhe LDK duke thënë se qytetarët e vendit nuk e meritojnë të keqtrajtohen në këtë mënyrë vetëm për shkak të interesave të ngushta personale. Ndërsa nënvizoi se zgjatja e negociatave për bashkëqeverisje, ndihmojnë vetëm Serbinë.
”Cikli demokratik pozitë-opozitë ka qenë gjithmonë, por këta po e shkatërrojnë me këtë formë të mentalitetit shtetin e Kosovës e po e forcojnë Serbinë. E ky është mallkim dhe do të marrin përgjegjësi për këtë”. Komentet e Veselit erdhën në një event për 20-vjetorin e themelimit të Forumit Rinor të PDK-së.