Zgjedhjet e parakohshme, Robelli: Kosova nuk duhet t’i lejojë vetes eksperimente
Analisti Enver Robelli për RTV Ora ka komentuar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për ta kaluar vendin në zgjedhje të parakohshme.
Sipas Robellit Kosova nuk duhet ti lejojë më vetes eksperimente në fushën e qeverisjes, teksa u ka bërë thirrje politikanëve që të bëjnë kompromis me njëri-tjetrit.
Robelli: Duhet të ketë një tranzicion të pushtetit. Edhe një qeveri që rrëzohet është përgjegjëse që të garantojë transferimin e pushtetit të qeveria pasardhëse dhe sidomos në kohë pandemie, që Kosova nuk duhet t’i lejojë vetes eksperimente, sepse mjaft është eksperimentuar në këto 12 muajt e fundit. Këto janë beteja juridike që janë të pafundme në Kosovë dhe mendoj që sa më shpejt të mbahen zgjedhjet aq më mirë për t’i dhënë fund edhe dramës juridike dhe polarizmit të skajshëm që prej kohësh po mbretëron në vend. Sidomos në 12 muajt e fundit që kanë qenë të vështirë në shumë aspekte.
Si duhet të veprojë Albin Kurti që të mos ketë nevojë për numra?
Robelli: Kurti duhet të mësohet se gjithmonë do të ketë nevojë për partner, edhe nëse nuk ka nevojë për partner për të themeluar qeverinë, do të ketë vazhdimisht nevojë për partner sepse vendimet e mëdha, marrëveshjet me Serbinë, ndryshimet e Kushtetutës nuk do të mund ti bëjë vetë. Për këtë ka mjaft pengesa që janë brenda Kushtetutës së Kosovës. Mendoj që të gjithë, edhe Kurti duhet të mësohen me artin e kompromisit me njëri-tjetrin për çështje nacionale. Për beteja të përditshme, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, çdo qeveri që vjen duhet të jetë e pamëshirshme dhe e kundërshembullt e qeverive që kanë sunduar deri tani.