Zgjedhjet e reja/ Albin Kurti flet për fitore të thellë që mund të formojë e vetme qeverinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se gjasat janë se në zgjedhjet e vitit të ardhshëm nga lista e tyre të dalin mbi 65 deputetë.

“Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhjet janë pranë, gjasat janë se nga lista jonë të bëhen deputetë më shumë se 65 emra”, tha ai në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, duke shtuar se duhet kthyer vlera e fjalën dhe pesha e mendimit në Kuvend.

Kurti ka thënë se në qeverisje të vendit nuk do të punohet me hakmarrje, por me drejtësi.

“Nuk është koha që të ikë një bandë e të vijë një klikë, nuk është kohë hakmarrjesh, është kohë drejtësie. Askush nuk do largohet nga puna vetëm pse i përket një partie, askush nuk do rrijë në një pozitë që nuk e meriton dhe askush nuk do të lihet jashtë kur e meriton. Nuk do ta kapim shtetin por ta çkapim”, tha ai.

Ai ka përmendur edhe Vjosa Osmanin në rastin kur ajo ishte vënë në krye të Kuvendit, duke e quajtur fat të mirë zëvendësimin nga ajo të Glauk Konjufcës. Fat i mirë, thotë Kurti, është se Osmani “nuk ishte servile, por ishte dinjitoze dhe i përket atij grupi të LDK-së që vendosi ta mbajë fjalën që u dhanë votuesve”.

Por, pavarësisht kushteve e kërkesave që Kurti thotë iu bënë nga LDK-ja sa ishin në koalicion, VV-ja rritet.

“Ne kishim fituar zgjedhjet me 6 tetor por atyre (LDK) nuk u pëlqente rezultati. U dukej se kishin fituar me pak diferencë. Kështu që nisën të na vinin kush pas kushti e kërkesë pas kërkese. Nuk donin të pranonin se ndryshimi kishte filluar e qytetarët donin VV-në. Sa herë vendosin pengesa të padrejta, që përpiqen ta ndalin VV-në, ajo vetëm rritet. Populli nuk i do hileqarët dhe i dënon ata”, tha ai.

Në gjysmë viti, Kurti shton se mbështetja për VV-në është rritur dyfish, ndërsa u shpreh bindshëm për një qeveri që udhëhiqet nga partia e tij.

SHKARKO APP