Zgjedhjet lokale në Kosovë, pjesëmarja në votime 43%, procesi i qetë

Në Kosovë të dielën u mbajtën zgjedhjet lokale. Gara zgjedhore u zhvillua në 38 komuna, ku u votua për kryetarët e rinj dhe përbërjet e reja të asambleve komunale.

Të drejtë vote kishin më shumë se 1 milion e 890 mijë qytetarë. Këtë të drejtë, sipas KQZ-së, e kanë shfrytëzuar 43.7 për qind e votuesve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se votimet janë zhvilluar në 899 qendra të votimit, me 2,505 vendvotime.

Për monitorimin e zgjedhjeve, KQZ-ja kishte akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues.
Në zgjedhje kanë marrë pjesë 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur (qoftë për kryetarë komune apo për këshilltarë në Kuvendet Komunale).

KQZ-ja ka certifikuar 7,091 kandidatë, prej tyre 6,887 janë kandidatë për asambletë komunale, ndërkaq 204 kandidatë janë në garë për kryetarë komunash, shkruan rel.

Në orën 19:00 janë mbyllur qendrat e votimeve për zgjedhjet lokale në Kosovë. Zgjedhjet kanë kaluar qetë, me disa parregullsi, të cilat nuk e dëmtojnë procesin.

Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, që monitoron procesin zgjedhor, në një konferencë për media, ka raportuar për parregullsi të reja gjatë procesit zgjedhor.

Ndër parregullsitë e vërejtura deri në orën 16:00, përmenden: tentimi për votim të shumëfishtë në 86 raste, votimi familjar në më shumë se 3 mijë raste, kurse 511 votues nuk e kanë gjetur emrin në listën e votuesve.

SHKARKO APP