Zgjedhjet në Kosovë, Andoni: U vlerësuan, por jo shumë ndryshe nga Shqipëria
“Edhe Kosova nuk ndryshon shumë nga Shqipëria sa i përket zgjedhjeve”, kështu u shpreh në A2 analisti Ben Andoni, duke theksuar se edhe atje procesi mbart shumë probleme.
“Më ka çuditur entuziazmi në Shqipëri sa i përket zgjedhjeve në Kosovë dhe të themi atë aktin shumë normal që liderët në Kosovë bën ndaj njëri-tjetrit, duke njohur avantazhin. Për mendimin tim, zgjedhjet në Kosovë nuk ndryshojnë shumë me zgjedhjet në Shqipëri. Ky është edhe shqetësimi më i madh për ne shqiptarët. Pavarësisht se kosovarët janë të mbikëqyrur nga shumë organizma ndërkombëtare, ne në Shqipëri nuk dimë të bëjmë zgjedhje. Ne jemi në një realitet tjetër, por edhe Kosova nuk ndryshon shumë nga Shqipëria. Po zgjat pafundësisht rinumërimi i gati 900 mijë votave. Edhe nga rinumërimet që janë bërë, kanë dalë blof shumë nga liderët. Kjo është një njollë jo e mirë për Kosovën. Procesi në vetvete mbart shumë probleme. Edhe atje si tek ne, do të rifillojë rinumërimi në dy vende”, tha Andoni.
Ai foli edhe për çështjen e kufijve me Prishtinës dhe Beogradit, duke u shprehur se Serbia asnjëherë nuk e ka shmangur ndryshimin e territoreve dhe nuk mund të bëjë dot një pakt ku nuk do të përfitojë. Sipas tij, kjo vjen si pasojë e mbështetjes së madhe që Beogradi ka nga Rusia.