Zgjedhjet në Kosovë, kuti lëvizëse për votuesit me Covid
Mbeten më pak se dy javë e gjysmë nga zgjedhjet në Kosovë. Në kushtet e pandemisë, po punohet që askujt të mos i mohohet votimi, as atyre që nuk do mund të dalin dot nga shtëpia prej Covidit-19.
Kosova po përgatitet për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit dhe po sigurohet që çdo votuesi t’i garantohet e drejta e votës pavarësisht pandemisë.
Një nga sfidat që përball Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në vend mbeten qytetarët që nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkak të infektimit me Covid-19.
“Natyrisht, procesi mund të jetë sfidues për faktin se bëhet fjalë për 38 komuna të Kosovës, duhet të organizohet votimi edhe për këta qytetarë”.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, ditën e zgjedhjeve do të ketë 200 ekipe lëvizëse në gjithë vendin për t’u shërbyer personave në karantinë shtëpiake.
“Zakonisht ekipet mobile do të përbëhen nga 4 anëtarë. Njëri prej tyre do të jetë nga ekipet shëndetësore me qëllim që të këshillojë profesionalisht anëtarët e ekipit mobil.”
Për të ardhur deri tek momenti i votimit, KQZ-ja e Kosovës pritet të marrë listën e votuesve të infektuar nga institucionet përkatëse, dhe t’i kontaktojë ata për mundësinë e votimit me këtë mënyrë.
Një praktikë e ngjashme u ndoq edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën nëntorin e shkuar në Podujevë dhe në Mitrovicën e Veriut.
“Do të thotë ne si punëtorë shëndetësorë jemi ndarë në grup, me ato lista kemi shkuar në ato shtëpi që janë prekur me virus për të marrë votën e tyre. Atë ditë nuk mundem me cek që ka pasur ndonjë vështirësi, kemi kaluar shumë mirë. Ata persona që kemi shkuar paraprakisht kanë qenë në dijeni që ne do të shkojmë të marrim votën e tyre dhe na kanë pritur mirë të gjithë. Dhe, nuk mund të them se kam ndjerë ndonjë rrezik.”
Në Kosovë, votat e personave të infektuar me Covid-19 llogariten si vota me kusht, të cilat numërohen pas ditës së votimit dhe pas votave të rregullta.
Garës në mesin i shkurtit do i bashkohen 28 subjekte politike, mbi 1 mijë kandidatë synojnë 120 vendet e parlamentit, ndërsa 1 milion e 870 mijë persona mund të ushtrojnë të drejtën e votës.