Zgjedhjet në Kosovë/ Vetëvendosje dorëzon ankesën në PZAP për certifikimin e listës për deputetë
Lëvizja Vetëvendosje përmes një shkrimi në “Facebook” ka njoftuar kanë dorëzuar ankesën për moscertifikim të listës së tyre drejt Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Kujtojmë se lista e Vetëvendosjes për deputetë nuk u certifikua nga KQZ-ja mbrëmë dhe fajin për këtë kjo parti ia la kryetares së KQZ-së. Të njëjtën gjë, VV ka argumentuar edhe në deklaratë. Nga Vetëvendosje shprehen të bindur se për VV do të certifikohet lista e plotë, bashkë me kryetarin e Albin Kurtin.
Deklarata e plotë e Lëvizjes Vetëvendosje:
Lëvizja VETËVENDOSJE! brenda afatit ligjor ka dorëzuar ankesë pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa kundër vendimit të djeshëm të KQZ-së për moscertifkimin e listës sonë për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Pavarësisht rekomandimit të qartë nga Zyra për Certifkimin e Subjekteve Politike, i vetmi organ profesional që ka mandat të tillë, për të certifikuar listat e deputetëve në pako, KQZ në krye me Valdete Dakën, në mënyrë arbitrare dhe antiinstitucionale hedhi poshtë këtë rekomandim me qëllimin e vetëm që të pamundësoi certifikimin e listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Ne jemi të bindur në të drejtën tonë, sikurse jemi të bindur se lista e dorëzuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! me 16 janar 2021 do të certifikohet e plotë me bartësin e saj, kryetarin Albin Kurti, për zgjedhjet e 14 shkurtit.