Zgjedhjet për të zgjidhur ngërçet që i provokuan
Nga: Preç Zogaj
Nesër mbahen në Republikën e Kosovës zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ato u provokuan nga dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj në gjysmën e dytë të korrikut pasi ai mori një thirrje për t’u pyetur në Gjykatën Speciale të krimeve të luftës në Hagë. Dorëheqja në këto këto rrethana e zotit Haradinaj u shoqërua, siç e mbajmë mend, me skena mallëngjyese të një heroizmi sa të vërtetë nga njerëz të thjeshtë që e mbështesnin, aq edhe politiko-elektoral nga miq të e tij politikanë në Kosovë dhe Tiranë. Dorëheqja e bujshme mbeti në nivelin e një deklarate, thirrja e Haradinaj në Hagë nuk u pasua me thirrjen e një liste politikanësh të tjerë , siç ishte paralajmëruar ato ditë. Në vijim Haradinaj e mbajti dhe vijon ta mbajë de fakto postin e kryeministrit. Ndërkohë, rebuset që pasuan këto zhvillime e projektuan Kosovën drejt zgjedhjeve të parakohshme- vendim i drejtë i elitës politike kosovare, shumë më i mirë sesa po të kishin kërkuar të mbanin në këmbë me kombinacione legjislaturën e thyer.
Vendimi për t’iu drejtuar popullit në rrethanat e krijuara është jo vetëm treguesi i mbizotërimit të zgjidhjeve të sovranit ndaj zgjidhjeve të tjera, por edhe i vetëdijes së partive për nevojën e rindërtimit me votë të pushtetit në funksion të angazhimeve prioritare të Kosovës brenda vendit dhe në kuadrin e politikave rajonale ku Kosova ka një zë të fortë në kapitull. Një zhvillim dhe një vendim si ky ka pasur qysh në krye të herës mbështetjen partnerëve perëndimorë të Kosovës, të SHBA-së dhe BE-së. Këto zgjedhje të parakohshme duket qartë se janë thirrur për të zgjidhur ngërçet e politikës së jashtme që i provokuan. Ndaj ka qenë logjike që temat kryesore të fushatës së partive, përveç pjesëve programore deri diku rutinë që lidhen me propozimet e tyre për taksat, shpenzimet, arsimin, shëndetësinë, çështjet sociale e tjerë, të ishin ato të sundimit të ligjit, të luftës kundër korrupsionit, të orientimit perëndimor dhe bashkëpunimit të ngushtë të Kosovës me partnerët perëndimorë për të çuar përpara me ritme të reja agjendën e saj euroatlantike, për të bërë Kosova pjesën e vet të punës, në sintoni me partnerët e saj strategjike, për arritjen e një marrëveshjeve të paqes me Serbinë.
Janë detyra të cilat i japin kuptim angazhimit politik në shërbim të interesave të vendit dhe afirmojnë partnerë të besueshëm për aleatët nga radhët e elitës politike të Kosovës. Për momentin Kosova duhet të kalojë si një trup i vetëm, sikurse herë të tjera, testin demokratik të zgjedhjeve. Prova përfundimtare do të jetë gjithë dita e nesërme e votimeve deri në momentin kur do të shpallen rezultatet. Do të kemi rast të flasim nga e hëna e tutje për ketë etapë përmbyllëse të procesit, por mund të jemi optimistë se nuk do të ketë zhgënjime. Kosova ka vite që zhvillon zgjedhje normale. Fatmirësisht, nuk është infektuar nga Shqipëria në këtë pjesë të themelit të demokracisë.
Edhe kësaj radhe, në gjithë etapat që paraprijnë një ditë zgjedhjesh, Kosova ka dhënë në kompleks një shembull pozitiv për Shqipërinë dhe rajonin. Ajo mbylli dje fushatën më të shkurtër në historinë e botës. Vetëm dhjetë ditë. Është e vërtete: janë zgjedhje të parakohshme . Por shkurtimit të fushatës mund ti japim një domethënie dhe justifikim me të gjerë, të vlefshëm edhe për zgjedhjet që zhvillohen në afatet ligjore. Paritë janë gjithë kohën në fushatë. Në parlament, në media, më rrjetet sociale, në terren. Mund të mos ketë nevojë për fushata të gjata që rraskapitin njerëzit fizikisht e mendërisht.
Shembulli tjetër që na jep Kosova është se ajo zhvillon zgjedhje me lista të hapura. Çdo votues , përveç partisë, voton kandidatin e preferuar të listës. Renditjen e kandidatëve fitues nuk e bën kryetari i partisë me dy -tre vetë, madje as anëtarësia, por zgjedhësit e subjektit politik përkatës. Ky është sistemi që e ka çuar zonjën Vjosa Osmani drejt nominimit për postin e kryeministres si kandidate e LDK-së. Ajo ka dalë e para me votë popullore në listën e PDK-së në zgjedhjet e kaluara. Atë e kanë kandiduar zgjedhësit e partisë, rezultati i saj.
Drejtuesve të LDK-së, bravo u qoftë që kanë respektuar zgjedhjen e zgjedhësve. Kjo është një zgjidhje e drejtë dhe e mençur që shërben për të rritur mbështetjen popullore për partinë gjithashtu. Njëherësh për të ofruar shpresë për njerëzit duke promovuar politikanë të një brezi të ri me formim perëndimor dhe me integritet të sprovuar. Sondazhe të besueshme nga kompani të ndryshme kosovare dhe ndërkombëtare e nxjerrin LDK-në në vend të parë. Nëse këto sondazhe verifikohen edhe në zgjedhjet reale- dhe gjasat janë të verifikohen- zonja Vjosa Osmani do të mandatohet nga Presidenti i Republikës për të krijuar qeverinë e re në Kosovë. Nëse ia del, ajo do të jetë kryeministria a e parë grua në historinë e kombit shqiptar. Një kryeministre grua do të jetë një tjetër tregues civilizimi që Kosova i jep Ballkanit, Europës dhe me gjerë.
Shembulli i Vjosa Osmanit është shembulli i hapjes dhe ngjitjes në rrugët e karrierës me meritë, me votën e drejtpërdrejtë të zgjedhësve. Kjo është rruga që formon kulturën e shërbimit të qytetarëve. Po të ishte pjesë e partive shqiptare në Shqipëri kjo zonjë nuk do të mund të dilte kandidate për kryeministre. Sepse këtu votohet me lista të mbyllura. Zgjedhësit nuk kanë për kë të votojnë. Me lista të mbyllura, nga kupola të mbyllura në parti të mbyllura. Dhe pastaj pyesim pse nuk çliron shpresa të reja politika, pse nuk ndalon ikja e njerëzve?
Një mësim tjetër për Shqipërinë nga Kosova është rritja e opozitës si alternativë në radhë të parë në Kuvend. LDK, që sondazhet e tregojnë në vend të parë është rritur pikësëpari falë betejave parlamentare. Jo vetëm është rritur, por edhe është “ bekuar” më sa shihet si alternativë e pushtetit nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Kandidatja për postin e kryeministres, Vjosa Osmani ka kryer studimet e masterit në SHBA. Vëzhguesit politikë në Kosovë pohojnë se ajo ka orientimin dhe kapacitetet e duhura për të punuar ngushtë me partnerët për të mirën e Kosovës. E mirë e cila nuk mund të shikohet e ndarë nga e mira e familjes euroatlantike. SHBA dhe NATO e kanë çliruar dhe krijuar shtetin e pavarur të Kosovës. Partneriteti me ta dhe me BE është garancia e sigurisë dhe ecjes përpara të Kosvës në përmbushje të sfidave dhe aspiratave të saj. Fati i madh i Kosovës dhe yni si komb, pas shumë fatkeqësish që na ka rezervuar historia, është se SHBA nuk kanë lejuar as kanë për të lejuar me sjelljen e tyre që ne të ndihemi në komplekset e një borxhi ndaj tyre.
SHBA duan nga Shqipëria dhe Kosova vetëm një gjë: të jemi vende të lirisë dhe demokracisë ku sundon ligji. Të jemi amerikanistë dhe eurpianistë në këtë kornizë. Që është korniza e miqësisë vëllazërore dhe strategjike. E mirëqenies dhe dinjitetit të shqiptarëve gjithashtu. /Gazeta Liberale/