Zgjedhjet presidenciale serbe- Në Kosovë deri në orën 10:00 votuan 5,23 për qind e votuesve
Në të gjitha vendvotimet në Kosovë, në të cilat serbët do të votojnë për president të Serbisë, deri në orën dhjetë kanë votuar 5,23 për qind, përkatësisht 5.544 votues të regjistruar, tha zëdhënësi i OSBE-së Senad Shaboviç.
Sipas tij, votimi deri tani nuk ka patur probleme dhe nuk ka parregullsi të theksuara.
Në Kosovë janë 90 vendvotime të shpërndara në 20 vendndodhje të katër qendrave dhe 16 degëve.
“Qendrat për grumbullimin e votave ndodhen në Mitrovicë, Leposaviq, Shtërpcë dhe Graçanicë, dhe të gjitha kanë 16 degë në gjithë Kosovën, në rajonet ku jetojnë votuesit e regjistruar. Tani gjithçka po shkon mirë”, tha Shaboviç për mediat serbe.
Sipas tij, pas mbylljes së qendrave dhe degëve, OSBE do të dërgojë materialin zgjedhor në Komisionin Zgjedhor Republikan në Rashkë dhe Vranjë. Shaboviç tha se vendimi për numërimin e votave do të merret në kohë.
“OSBE ka kompetenca që vendimin për numërimin e votave në vendin e ngjarjes ose në Rashkë dhe Vranjë ta marrë brenda ditës, në pajtim me faktorët e tjerë relevantë dhe të sigurisë. Këtë vendim ende nuk e kemi, tashmë është fillimi i procesit dhe do ta marrim me kohë”, tha ai. Në Kosovë me të drejtë vote janë 105.929 votues./Kosovapress