Zhvillim i papritur në Kosovë, kryetarja e KQZ: Votat mund të numërohen nga fillimi
Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor në Kosovë, Valdete Daka, ka theksuar se certifikimi i zgjedhjeve të 6 tetorit, mund të zgjasë deri në dhjetor. Daka, ka theksuar se certifikimi i zgjedhjeve të 6 tetorit mund të zgjasë.
Ajo u shpreh për RTK-në se kjo vonesë mund të ndodhë, për shkak të ankesave të subjekteve politike dhe të kandidatëve.
“Nuk mund të jap parashikime, nuk mund të them fundi i nëntorit apo fillimi i dhjetorit. Nëse ka ankesa mund të shkojë prapë në rinumërim. Mund të them që kjo forma e ankesave duhet të rregullohet si në vendet tjera sepse me të vërtetë kjo stërzgjatje është keqtrajtim”, ka thënë ajo.
Daka tha se ka ankesa nga partitë politike dhe kandidatët për deputet. Sot Gjykata Supreme ka miratuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e 4,639 fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës, në zgjedhjet e 6 tetorit. Në këtë vendim është anuluar vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i cili e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e LVV-së për numërim.
Ndërsa, Valmir Elezi nga Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se presin ta marrin vendimin e Gjykatës Supreme, e cila ka pranuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e votave të diasporës.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, ka refuzuar ankesën e koalicionit NISMA-AKR-PD që të shpallen të parregullta fletëvotimet e ardhura nga Serbia përmes postës.