Zyrtare nga Kosova: Thaçi dhe Pacolli, gaz lotsjellës për Ramën kundër protestuesve të opozitës në Shqipëri

Policia e Kosovës ka konfirmuar sot zyrtarisht se i ka dhënë hua gaz lotsjellës qeverisë “Rama” për ta përdorur kundër protestuesve të opozitës në Shqipëri. Në njoftimin për mediat, Policia e Kosovës bën me dije se procesi i dërgimit të gazit lotsjellës është bërë mbi bazën e një marrëveshje të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë që drejtohet nga Sandër Lleshaj dhe Ministrisë së Jashtme të Kosovës që drejtohej nga Behgjet Pacolli.

Huazimi i gazit lotsjellës fillimisht është bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit mes dy institucioneve policore, si dhe mbi pëlqimin e realizuar nga të dyja ministritë kompetente, ajo e Punëve të Brendshme dhe e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës. Në aspektin ligjor paraprakisht janë marrë mendimet pozitive edhe nga ana e Zyrës Ligjore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të RKS-së dhe e Policisë së Kosovës, përfshirë edhe pëlqimin e dhënë nga ana e kompanisë prodhuese të gazit lotsjellës”,- thuhet në njoftimin publik të Policisë së Kosovës.

Reagimi në Prishtinë vjen pas publikimit të lajmit nga agjencia investigative e lajmeve “Insajderi”, e cila theksonte se shteti i Kosovës e ka të ndaluar të shesë apo të blejë armë. Gazi lotsjellës hyn te mjetet ushtarake dhe dyshohet se qeveria e Kosovës ka shkelur ligjet. Për këtë arsye në komunikatën e policisë së Kosovës nuk përmendet fjala shitje, por “huazim”. Policia thekson se marrëveshja është bërë mbi “bazën e bashkëpunimit ndërinstitucional, me shtetet fqinje në këtë rast jo vetëm me Shqipërinë, Policia e Kosovës shkëmben personel policor, patrullime dhe trajnime të përbashkëta si dhe pajisje logjistike sipas nevojës”.

Ish-ministri Behgjet Pacolli ka mohuar se është përfshirë në procesin e dhënies së gazit lotsjellës kundër protestave në Shqipëri. Në një reagim në Facebook, Pacolli reagon ndaj një deklarate të diplomates Alma Lame, e cila akuzonte atë për marrëveshjen. “Lexova sot deklaratën e një gënjeshtareje që paska shpifur se gjoja unë qenkam i përfshirë në dërgimin e gazit lotsjellës në Shqipëri! Personi në fjalë ka shpifur qëllimshëm në llogari timen dhe për këtë akt, gënjeshtra e saj do të verifikohet në Gjykatë”,- shkruan Behgjet Pacolli.

Praktikisht qeveria “Rama” ka marrë borxh qindra bomba gaz lotsjellës për t’i përdorur kundër protestuesve, mes të cilëve gra dhe fëmijë në Tiranë. Ministri Sandër Lleshaj deklaroi gjatë protestave në periudhën shkurt-prill 2019 se gazi që po përdorej ishte marrë nga rezervat e Gardës së Republikës. Sipas tij, ish-kryeministri Sali Berisha kishte blerë sasi të mëdha gazi për t’i përdorur kundër opozitës së PS-së para vitit 2013.

Në fakt, dokumenti i medias në Kosovë dhe konfirmimi i Policisë së Kosovës nxjerr mashtrimin e Ministrisë së Brendshme dhe skandalin mes dy qeverive. Edi Rama i ka kërkuar borxh gaz lotsjellës Hashim Thaçit dhe ky i fundit me anë të Ministrisë së Jashtme i ka bërë “dhuratë” qindra bomba. Qeveria “Rama” dhe ministria e Brendshme u akuza nga opozita dhe mediat se përdori gaz lotsjellës në kundërshtim me ligjin dhe duke tejkaluar çdo rregullore policore dhe ushtarake.

SHKARKO APP