Zyrtare, nuk ka rinumërim votash në Kosovë
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në Kosovë (PZAP) tha se nuk do të ketë rinumërim të fletëvotimeve nga zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.
PZAP doli me këtë vendim pas shqyrtimit të kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Koalicionit NISMA-AKR-PD për rinumërimin e të gjitha votave në nivel vendi.
Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka përfunduar procesi i numërimit të votave të rregullta. Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje prin me 25.48 për qind të votave, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82 për qind.
Po sipas këtyre rezultateve, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 21.24 për qind të votave, Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë dhe Partia Socialdemokrate 11.57 për qind, ndërsa Lista Serbe 6.61 për qind. Në këto rezultate nuk janë të përfshira votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta, pasi ato nuk janë numëruar ende.
https://www.kohajone.com/2019/10/08/perfundon-numerimi-i-votave-te-rregullta-ne-kosove-ja-rezultatet/