14 kriminelët, PD kërkon sqarime nga Çuçi. Ministri: Nano do hetohet

Partia Demokratike do të thërrasë në seancë dëgjimore në Komisionin për Sigurinë Kombëtare Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, lidhur me situatën e kriminalitetit në vend, si edhe ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Deputeti demokrat Ferdinand Xhaferraj, në një prononcim për mediat nga Kryesia e Kuvendit, e cilësoi situatën e kriminalitetit në vend si mjaft shqetësuese.

“Gledis Nano u shkarkua për arsyen e çuditshme për mosrealizim objektivash por askush nuk e di në këtë vend se cfarë ishin objektivat. Dhe po atë ditë pamë një deklaratë të ambasadores Kim, që thoshte se Gledis Nano ishte dhe mbetet një partner shumë i fortë i SHBA”, u shpreh Xhaferraj.

Nga ana tjetër, vetë Gledis Nano nuk do të jetë i qetë për një kohë. Pasi prezantoi Muhamet Rrumbullakun si drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u pyet edhe për deklaratën e Gledis Nanos, i cili tha se 14 kriminelë u arratisën nga dekonspirimi i operacioneve policore.

Çuçi tha se Nano do të hetohet për këtë deklaratë. Nano i cili është në qendër të politikës, në një intervistë në reportazhin “Hetime Ekskluzive” për kanalin francez Metropole, edhe pse tashmë si ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka folur për punën e tij.

Ai ka thënë ndër të tjera se gjatë kohës që ushtronte detyrën (10 muaj), janë arratisur 14 kriminelë të rrezikshëm, kjo pasi janë dekonspiruar operacionet e policisë për kapjen e tyre. “Ka pasur rrjedhje të informacionit, mund të ketë ardhur nga vetë ato që kanë kryer investigimin ose nga ekipet operacionale”, ka thënë Nano për televizionin francez, duke shtuar se është e paqartë nga ka rrjedhur informacioni.

SHKARKO APP