953 banesa dhe 100 ha tokë të përmbytura në Durrës, 160 persona të evakuuar
Në qarkun e Durrësit janë evidentuar 953 banesa të cilat kanë prani uji brenda dhe nëpër oborret e tyre. Më konkretisht këto banesa gjenden në zonën e ish Kënetës, në lagjen 14 Shkozet, në Zonën e plazhit, në njësitë administrative Manëz dhe Rrashbull. Janë 160 persona të strehuar në 2 shtëpitë e pushimit, në atë të Ministrisë së Rendit Publik si dhe në atë të Mbrojtjes.
Aktualisht janë ngritur 15 grupe pune të cilët po merren me evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga shirat. Ndërkohë janë evidentuar gjithashtu edhe 337 biznese të cilat kanë prani uji në mjediset e tyre. Nën ujë janë edhe sipërfaqe të tëra të tokave bujqësore në Njësitë administrative të Manzës, Sukthit dhe të Katundit të Ri. Janë mbi 100 ha tokë bujqësore nën ujë.
Në ndihmë të banorëve të përmbytur po punojnë grupet e emergjencave civile, janë 100 forca me mjetet e tyre përkatëse të dislokuar në Durrës, janë forcat zjarrfikëse të bashkisë si dhe ato të portit detar, janë forcat dhe mjetet e UKD. Gjithashtu në mbështetje të tyre janë forcat e policisë së rendit si dhe trupa e policisë bashkiake.
KOHA JONË SONDAZH

