A pushoi zemra e Learit veç nga kokaina? Shenjat në trup që nëna i pa, misteri vijon ende

Zemra e Lear Kurtit që ngriti qytetarët në protesta për vdekjen e tij, sipas ekspertizës mjeko-ligjore, pushoi nga mbidoza e kokainës. Prokuroria e Tiranës ka zbardhur ekspertizën mjeko-ligjore për 32 vjeçarin, i cili vdiq pasi u shoqërua në komisariat.

”Shkaku i vdekjes së shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës)”,-thuhet në dokumentin që ka tashmë në dorë Prokuroria.

Por është dëshmia e fortë nga nëna e tij, e cila ka thënë se në trupin e pajetë të të birit, ajo ka parë dhunë të tmerrshme. Por sipas autopsisë, 32-vjeçari ka vdekur nga overdoza, dhe jo nga dhuna. Atëherë pikëpyetja për shenjat vijon dhe nuk është dhënë përgjigje.

Për vdekjen e mistershme u mbajtën dy protesta nga shoqëria civile dhe të mbështetura nga një pjesë e opozitës. Për këtë ngjarje janë pezulluar nga detyra tre efektivë.

Gjatë shoqërimit, 32-vjeçari ka shfaqur probleme shëndetësore dhe u kërkua ndihma e urgjencës. Duke qenë se gjendja e të riut po përkeqësohej si u dërgua me mjetet e policisë në spital ku ndërroi jetë? Pas konstatimit të vdekjes trupi i pajetë u përcoll në morg. Shumë pyetje janë ende pa përgjigje, dhe ky rast nuk duhet të kalojë në heshtje të Policisë dhe të Ministrisë së Brendshme, por të shkund sistemin policor në vend.

I braktisur që në lindje në shtëpinë e fëmijës, 2-vjeçari do të merrej nga Artur Isai dhe bashkëshortja e tij për t’i dhënë një familje. Edhe pse i rritur në një nga zonat problematike të ish-parkut të autobusëve, Lari, siç e thërrisnin shokët e tij, nuk ishte djalë i përfshirë në ngjarje kriminale. Dosja e vdekjes është ende është e hapur.

R.Sh/ Koha Jonë/

SHKARKO APP