Aksidentoi të miturin, shpallet në kërkim efektivi i policisë
Një nënkomisar i policisë është në kërkim nga kolegët e tij të drejtorisë së Korçës me akuzat e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Sipas forcave të rendit, ditën e djeshme nënkomisari me iniciale A.A, duke drejtuar mjetin e tij, ka aksidentuar të miturin 13-vjeçar O.S, i cili është dërguar në spitalin e Korçës por fatmirësisht nuk ka paraqitur dëmtime serioze, duke u rikthyer në shtëpi.
Por në vend që t’i paraqitej forcave të rendit për të sqaruar situatën, sipas akuzës nënkomisari ka dërguar të vëllain, shtetasin M.A, i cili pretendoi se kishte qenë ai drejtuesi i mjetit, ndërkohë që pamjet filmike të disa kamerave provuan të kundërtën.
Tashmë edhe i vëllai do të përballet në gjendje të lirë me akuzat e “Deklarata e rremë para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.