Atentati në ”Don Bosko”, lidhet me një zinxhir vrasjesh mafioze
Atentatin në zonën e Don Bosko-s, ku humbi jetën 58-vjeçarja Mimoza Paja, hetuesit e cilësojnë si vijimësi të disa ngjarjeve mafioze të regjistruara në Tiranë, Laç dhe Lezhë.
Objektiv i këtij atentati kanë qenë familjarët e Fatjon Muratit, ndonëse viktimë mbeti banakierja e lokalit në pronësi të tij. Ngjarja ka motiv hakmarrjen për një sërë vrasjesh zinxhir të kryera për shkak të konflikteve të disa grupeve rivale, thuhet në dosje.
Pavarësisht se motivi duket i qartë, policia dhe prokuroria ende nuk kanë mundur të gjejnë ndonjë të dhënë që mund t’i çojë në identifikimin e autorëve, për të cilët ata thonë se ishin 3 persona. Edhe kamerat e sigurisë që janë sekuestruara nga grupi hetimor nuk kanë ndihmuar për të rënë në gjurmët e atentatorëve, që dyshohet të jenë vrasës me pagesë.